Banorët e Dukagjinit protestë për ndërtimin e rrugës lidhëse me Shkodrën

Mos i humb

Banorët e Dukagjinit protestuan sot para bashkisë e prefekturës, duke kërkuar ndërtimin e rrugës lidhëse me Shkodrën.

Ata paralajmëruan se nëse nuk do të ketë një reagim nga institucionet, atëherë do të bojkotojnë zgjedhjet vendore.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, deputeti i PS-së në qarkun e Shkodrës, Benet Beci shprehu solidaritet me banorët, ndërsa theksoi se, “mungesa e rrugës thellon problemet sociale dhe ekonomike të një zone të varfër dhe nxit edhe më tej braktisjen e zonës”.

“Sot në Shkodër pati një protestë me pjesëmarrje të madhe të banorëve e ish-banorëve të zonës së Dukagjinit, përpara bashkisë e prefekturës, për rrugën e Dukagjinit. Dua të përshëndes të gjithë organizatorët dhe pjesëmarrësit për pjesëmarrjen e madhe dhe qytetarinë nga a cila u karakterizua e gjithë protesta. Jam plotësisht solidar me ta në kërkesën për ndërtimin e rrugës”, u shpreh Beci.

Ai theksoi se, përgjatë viteve e ka përshkuar disa herë atë rrugë.

“Duke pasur përvojën e thuajse të gjitha rrugëve rurale të Shqipërisë, besoj se është ndoshta më e vështira dhe më e rrezikshmja në vend. Jam shumë i ndërgjegjshëm që mungesa e rrugës thellon problemet sociale dhe ekonomike të një zone të varfër dhe nxit edhe më tej braktisjen e zonës. Përtej rëndësisë sociale dhe ekonomike, rruga është aksesi i vetëm i një zone shumë të gjerë me tradita të jashtëzakonshme e më një komunitet që është fort i lidhur me zonën e vet”, shtoi ai.

Beci theksoi se, gjatë këtyre viteve është punuar për të përfunduar lidhjen rrugore Qafë Thore-Theth; po punohet për segmentin e rrugës Theth-Ndërlysaj dhe ka përfunduar plotësisht projekti i detajuar teknik nga Prekali në Ndërlysaj së bashku më një degëzim të rëndësishëm që lidh me Lekbibajn dhe zonën e Gjakovës në Kosovë.

“Kjo lidhje do të krijojë një unazë përfundimtare të Alpeve dhe do të jetë një mundësi për rivitalizimin ekonomik në zonë. Sigurisht duke qenë një rrugë shumë e gjatë, e vështirë dhe malore, ka një kosto financiare të konsiderueshme të investimit. Jemi duke parë të gjitha mundësitë për financimin e rrugës me qeverinë shqiptare dhe donatorë të huaj. Shpresoj që së shpejti do të kemi lajme të mira. Kjo protestë sot vetëm më motivon shumë më tepër që rrugën të mund ta bëjmë realitet”, tha ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit