
Qytetarët e Hong Kongut të dielën iu drejtuan qendrave të votimit për të hedhur fletëvotimet mes demonstratave të vazhdueshme të cilat filluan në qershor, të cilat më vonë u kthyen në protesta kundër qeverisë lokale dhe Kinës.
Zgjedhjet lokale, të cilat mbahen një herë në katër vjet, janë zgjedhjet e vetme “plotësisht demokratike” që mbahen nën rajonin autonom të Kinës.
Mbi 4,1 milionë votues të regjistruar në Hong Kong do të zgjedhin këshilltarët e rretheve në zgjedhjet lokale, ndërsa banorët tashmë kanë treguar interes të madh në zgjedhje.
Procesi i votimit filloi në ora 07:30 (23:30 sipas Orës Evropiane Qendrore të shtunën) dhe do të vazhdojnë deri në orën 22:30. (14:30 sipas Orës Evropiane Qendrore). Disa protestues e shikojnë votimin si një mundësi të shkëlqyeshme për të ndryshuar klimën politike në qytet.
Në vetëm katër orë të votimit, rreth një milion zgjedhës kanë hedhur tashmë fletëvotimet, tre herë më shumë se në zgjedhjet e vitit 2015, kur rreth 340.000 votuan në të njëjtën periudhë.
Gjithsej 1.104 kandidatë garojnë për 452 vende të këshillit bashkiak në 18 rrethe zgjedhore.
Nëse zgjidhen, kandidatët do të jenë pjesë e një komiteti me 1.200 anëtarë. Ky komitet ka të drejtë të zgjedhë ligjvënësit, anëtarët e kabinetit dhe drejtuesin e qeverisë nga një listë kandidatësh të siguruar nga Pekini.
“Nëse këto zgjedhje janë të drejta, atëherë do të çojnë në ndryshime, nëse jo, atëherë protestat do të vazhdojnë dhe ne do të shkojmë në një drejtim tjetër”, tha për AA Kevin Tsue pas votimit në qendrën e votimit në Parkun Kawloon.
Hong Kong, një rajon autonom i Kinës që nga viti 1998, ka qenë skenë e protestave që nga fillimi i qershorit kundër vendimit të administratës së Carrie Lam për të legalizuar ekstradimin në territorin e Kinës.
Qeveria tashmë ka tërhqur projektligjin, por protestat vazhdojnë, pasi protestuesit po kërkojnë hetime për dhunën e policisë së Hong Kongut.


