Bardhi: Kushtetuesja shtyn sërish vendimin për VKM-në e ndërtimeve pa leje

Mos i humb

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë edhe një herë tjetër seancën për shqyrtimin e padisë së Partisë Demokratike për VKM-në për operacionet për ndërtimet pa leje.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, e konsideroi absurd një vendim të tillë, pasi sipas tij është në kundërshtim me praktikën 32-vjeçare.

“Shkaku për të cilën seanca e shkuar u shty, u provua dhe nga gjykata se ishte një argument absurd i sjellë nga Këshilli i Ministrave për të zvarritur shqyrtimin e kësaj çështje nga Gjykata Kushtetuese”, tha Bardhi.

“Përsa i përket seancës së sotme, konstatuam se e njëjta trupë gjykuese, e bërë nga të  njëjtët gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, ka vendosur një standard të ri gjykimi duke e shtyrë edhe më tej këtë çështje. Deri më sot 28 deputetët e të njëjtit grupit parlamentar kanë ardhur me një autorizim të lëshuar nga kryetari i grupit. Kështu ka qenë vendimi i marrë dhe i shpallur nga gjykata përpara një jave. Kështu jemi përfaqësuar me një tjetër vendim të shpallur para një muaji”, shtoi Bardhi.

“Ndërkohë që sot na u bë me dije që përfaqësimi duhet të ishte me një autorizim të firmosur nga 28 deputetët e Kuvendit. Nëse do na e kishin thënë para një jave, do të kishim ardhur me firmat dhe çështja nuk do të ishte zvarritur”, theksoi Bardhi.

Ai tha se, arsyeja e këtij vendimi absurd është shantazhi i kryeministrit.

“Ajo që unë konstatoj është se shantazhi me twitter i Ramës ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese. Një pjesë e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e kanë marrë qartë mesazhin e kryeministrit lidhur me këtë çështje. Dhe kjo është e rëndë. Nuk ka ndodhur kurrë që një Gjykatë Kushtetuese të marrë mesazhe të tilla mafioze dhe të veprojë në një formë që e njëjta trupë gjyqësore cakton standard të ri seancë pas seance. Kjo është edhe arsyeja pse herë pas herë vendos standarde të tjera”, tha ai.

Në tetor të vitit të kaluar, PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese nismën e firmosur nga 28 deputetë, ku kërkohej shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, duke e konsideruar si marrje në mbrojtje të pronave të oligarkëve që kanë ndërtuar kulla në Tiranë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve, ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmimi tregu dhe në këtë mënyrë u legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit. Në të kundërt ndërtimet do të sekuestrohen.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit