Bardhi letër GJK-së: Çështja të shqyrtohet në seancë publike

Mos i humb

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që seanca për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë të shqyrtohet në seancë të hapur për publikun.

Gjykatës Kushtetuese i është dërguar një letër që mban firmën e kryetarit të grupit, Gazment Bardhi.

Aty argumentohet fakti se seanca e cila është parashikuar të zhvillohet më 18 Janar, të jetë e hapur për mediat dhe publikun pasi mbart një rëndësi të veçantë.

“Duke pasur parasysh interesin e veçantë publik që mbart shqyrtimi i kushtetutshmërisë së protokollit, pretendimet e kërkuesit lidhur me mungesën e transparencës dhe konsultimit në fazat e negocimit dhe nënshkrimit, praktikën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese si dhe parimin e transparencës mbi të cilën e kryen veprimtarinë e saj gjykata, në mbështetje të nenit 21, pika 1, të ligjit nr 8577/2000, nenit 5, pikat 1, 2 dhe 4, nenit 26, pika 2, nenit 33, pika 3, nenit 37, pika 1 të Rregullores përfundimisht kërkojmë shqyrtimin e çështjes në seancë plenare publike”, shkruan Bardhi.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese pezulloi ratifikimin në Kuvend për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët duke marrë në shqyrtim çështjen. Seanca për shqyrtimin e dokumenteve u vendos të mbahet me 18 Janar.

Kujtojmë se marrëveshja e firmosur mes dy qeverive u kundërshtua nga deputetët e opozitës.

Më 6 Dhjetor, 30 deputetë paraqitën në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë zyrtare për kontrollin e kushtetutshmërisë në protokollin të nënshkruar mes Këshillit të Ministrave të vendit dhe qeverisë italiane.

Kjo kërkesë u paraqit para ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, pasi sipas palës opozitare nuk është respektuar procedura e negocimit dhe nënshkrimit, pasi protokolli bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit.

Kerkese-gjykata-kushtetuese_240110_124058

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit