Bardhi: Votimi sot në Kuvend antikushtetues, Presidenti t’i kthejë ligjet

Mos i humb

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e ka cilësuar antikushtetuese votimin e zhvilluar këtë të enjte në seancën plenare në Kuvend.

Gjatë një prononcimi për medie, pas seancës plenare, Bardhi tha se votimi në Kuvend u realizua në shkelje të rregullores dhe Kushtetutës, pasi morën pjesë vetëm 68 deputetë në votim, nga 71 deputetë që duhet të ishin minimalisht pjesëmarrës në votim.

“Sipas Kushtetutës dhe Rregullores, sot asnjë nga aktet ligjore që u votua në seancë, pa u shpallur dhe rezultati i votimit, nuk mund të quhet ligjërisht i miratuar. Sipas rregullores së Kuvendit, dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, neni 55, thuhet qartësisht se për efekt të kuorumit llogariten vetëm deputetët që kanë marrë pjesë në procesin e votimit, pavarësisht se sa deputetë janë në sallë. Në votim, e deklaroi edhe vetë drejtuesja e seancës, morën pjesë 68 deputetë. Që të hapet procesi i votimit për projektligjet, duhet të jenë të paktën 71 deputetë”, tha Bardhi.

“Kur manipulojnë votat në Kuvend, në syrin e opinionit publik, mendojeni se si i manipulojnë paratë e shqiptarëve jashtë syrit të kameras”, vijoi Bardhi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD kërkoi nga Presidenti kthimin në Kuvend të paketës ligjore të votuar sot, ndërsa shtoi se këtë gjë duhet që Presidenti ta bëjë edhe me ligjin për “Zonat e Mbrojtura” të votuar dy javë më parë.

“Si rregull Presidenti duhet, që të justifikoj edhe rrogën e tij, është procedurë që duhet të shprehet ai. Po presim të shprehet për ligjin e zonave të mbrojtura, pasi dhe ajo duhet kthyer në Kuvend, ashtu siç presim që si paketë të kthejë dhe ligjet e miratuara sot, edhe pse u deklaruan të miratuara”, tha Bardhi.

Në mbyllje të kumtimit të tij, duke iu referuar pozicionit të ri të marrë në strukturat e “Rithemelimit” si nënkryetar, Bardhi tha se “Partia Demokratike është e bashkuar tashmë, ashtu siç prej pesë muajsh grupi parlamentar është i bashkuar. Tani duhet të forcojmë partinë dhe ta bëjmë fituese atë”.

Sot Kuvendi miratoi disa projektligje, si ai për “Investimet Strategjike”, “Burimet Ujore”, “Turizmin” etj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit