Në një reagim në Facebook, Basha tha se tashmë është koha që sot shqiptarët të bashkohen, të majtë dhe të djathtë për t’i dhënë fuqi votës së lirë, përmes listave të hapura apo dhe vettingut të policisë.

MESAZHI I BASHËS

Kënaqësi të bisedoja me të reja dhe të rinj të Kamzës, ku na u bashkuan edhe anëtarë e kontributorë të Partisë Demokratike.

Sot është koha që bashkë me shqiptarët, të majtë e të djathtë, t’i japim fuqi votës dhe zërit të qytetarëve përmes listave të hapura, vetting-ut në politikë, kufizimit të mandateve e votës së emigrantëve. Për këtë ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi duke kërkuar edhe referendum.

Ata do mundohen të na pengojnë. Ata që duan monopol mbi politikën, median, ekonominë duan që Shqipëria të mbetet në duart e atyre të treve, siç ka qenë për mbi 30 vite. Por më 14 maj shumica i ka kthyer kurrizin treshes, dhe kjo i ka shqetësuar, prandaj kanë hapur sërish thesin e mashtrimeve, që i thonë sot e i përgënjeshtrojnë po vetë nesër. Unë kam vetëm një përgjigje për ata, dhe këdo që u beson atyre. Të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani. Le ta fillojmë me mua dhe rrethin tim familjar dhe më pas me ata, fëmijët dhe familjarët e tyre. Të shohim a i justifikojnë apo jo? Ky është vettingu i politikanëve. Këtë se duan, sepse duan të baltosin dhe të godasin këdo që trazon agjendën e tyre.

Sot është koha që demokratët të ulin thikat, duke filluar nga ai që i ngriti i pari, sepse e kemi kundërshtarin politik të ulur këmbëkryq në familjet tonë me ndihmën e atij që nxiti këtë luftë brenda nesh. Unë e mora vendimin tim! Vendosa të sakrifikoj veten në interes të demokratëve, duke duruar edhe gjithfarë mashtrimi. Ai ka bërë të kundërtën, sakrifikoi interesin e demokrateve për interesat e tij personale. Për këtë, çdo ditë e më shumë, koha po na jep të drejtë!