Bardhi: Manastirliu të japë dorëheqjen, të mbështesë Drejtësinë

Mos i humb

Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi në fjalën gjatë seancës së sotme parlamentare e vuri theksin tek arrestimi i Sekretares së Përgjithshme të MSHMS-së pak ditë më parë pas hetimeve nga SPAK.

“Nga një tender modest prej 8 milionë lekësh i Ministrisë së Shëndetësisë kuptuam se tarifa e korrupsionit në qeverinë e Edi Ramës ka shkuar 40%. Duan që populli të besojë se ky është një rast i izoluar, se këta nuk janë te gjithë kaq hajdutë. Populli thotë se peshku qelbet nga koka. Dhe ka shumë të drejtë. Aty ku ka vullnet, korrupsioni luftohet me të vërtetë. As nuk bëhet teatër, as nuk ushtrohet presion ndaj drejtësisë”, u shpreh Bardhi.

“Cili nga ju sot kolegë të mazhorancës do të dalë e të më thotë që tarifa e korrupsionit në qeverinë tuaj nuk është 40%? E keni të pamundur të mohoni faktet që SPAK-u ka sjellë në rastin e tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë. A na mjafton ne ky akt i SPAK-it? Absolutisht që jo! Prandaj, në vend që ta sulmojmë, duhet ta inkurajojmë. E di që është e vështirë, e di që qeveria, kryeministri, emisarët e tij janë në përpjekje te vazhdueshme për të kontrolluar drejtësinë, por s’ka asnjë shpresë tjetër konkrete që diçka në këtë vend të ndryshojë për mirë!”, tha Bardhi.

Sipas tij, korrupsioni është një çështje që prek çdo aspekt të jetës.

“Çfarë vlere ka rritja e pagave, kur korrupsioni mbretëron në Shqipëri? 40% e taksave tuaj të nderuar qytetarëve vidhen. 40% e pasurive kombëtare vidhen. Mos harroni! Nga 10%, kur mori për herë të parë pushtet, Edi Rama e ka çuar në 40% taksën e korrupsionit. Mendoni sa shumë kemi humbur nga korrupsioni në shëndetësi, në arsim, në infrastrukturë. Një vend kaq i vogël dhe kaq i pasur sa ne, duhet të ishte një Zvicër në zemër të Ballkanit. Por korrupsioni na ndalon të begatohemi. Na ndalon të punojmë në vendin tonë dhe të fitojmë nga djersa jonë”, u shpreh Bardhi.

Ai vijoi duke iu drejtuar edhe zëvendëskryeministres Balluku, apo ministres së Financave.

“Sa e keni taifën e korrupsionit në Ministrinë tuaj? E keni biseduar me sekretarin tuaj të përgjithshëm? Me pjesën e luanit të fondeve të rrugëve dhe energjisë, ju patjetër duhet ta keni mbi 40% gjobën. Por pyesni e na thoni!”, tha Bardhi.

“Edhe ju zonja Ministre e Financave, në ministrinë tuaj duhet të jeni në një garë të fortë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës për të zhvatur sa me shumë nga fondet publike përmes tenderave dhe procedurave korruptive. Në diskutim sot nuk vihet më a merrrni 40% të vlerës së tenderit, por sa më shumë se kaq merrni! Pyeteni edhe ju Sekretarin tuaj të Përgjithshëm për normën e gjobës me tenderat në ministrinë tuaj”, vijoi ai

“Zonja Ministre e Shëndetësisë, si ka mundësi që heshtët për skandalin në ministrinë tuaj? Duke mos u distancuar nga aktet korruptive të bashkëpunëtorëve tuaj më të afërt, ju dëshmoni se korrupsioni i Sekretares suaj të Përgjithshme nuk është një rast i izoluar. Ju tregoni se jeni pjesë dhe i shërbeni një sistemi të kalbur nga korrupsioni”, tha ai.

Bardhi i kërkoi Manastirliut dorëheqjen.

“Do të ishte në nderin tuaj të jepnit dorëheqjen! Të tregonit me fakte se nuk jeni bërë pis. Të tregonit me vullnetin tuaj të lirë dhe jo me propagandë boshe se e mbështesni drejtësinë dhe i hapni rrugën drejtësisë për të hetuar deri në nivelet më të larta, deri tek ju! Por ju e humbet këtë shans! Nëse ju ngushëllon si fakt, nuk jeni e vetmja. Ju mësoni nga më profesionisti në punë korrupsioni. Nga kryetari juaj legjendar që u kap me presh në duar me McGonigalin dhe vazhdoi të sillej sikur s’kishte ndodhur asgjë”, theksoi ai.

“Problemi më i madh sot në Shqipëri është se njerëzve u ka shteruar besimi se politikanët mund të ndryshojnë diçka. Me të drejtë. Diskutimi i tyre, për fat të keq, është se cila nga palët politike ka bërë më shumë korrupsion se tjetra. Humbja e besimit të njerëzve është një lajm i keq për vendin. Por sot, dua të them mijëra të rinjve dhe të rejave që mendojnë kështu, se nuk kanë plotësisht të drejtë. Në ketë sallë ka njerëz të ndershëm që mund ta ndryshojnë këtë situatë katastrofike. Në këtë sallë, ka politikanë që e kanë provuar veten se nuk i dorëzohen korrupsionit. Kjo është një situatë emergjente qe duhet ndryshuar. Ne, të dashur qytetarë, mund ta ndryshojmë së bashku, me kurajo, me guxim, me ndershmëri”, përfundoi Bardhi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit