Basha: Rrisim buxhetin për kulturën me 50 milionë euro

Mos i humb

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha publikoi sot programin e PD për artin, kulturën dhe sportin.

Në videon e shkëputur nga Kuvendi Programor i PD, Taulanda Jupi, Eralda Tase, Azgan Haklaj dhe Gent Muça, zbardhën zotimet e PD për këto sektorë, të cilat disa prej tyre janë rritja e buxhetit për për Artin, Kulturën dhe Trashëgiminë e Kulturës në masën 50 milionë euro.

Gjithashtu një angazhim tjetër do të jetë edhe rivitalizimi i Qendrave të Artit për Fëmijë dhe të Rinj në 61 bashki të vendit.

Në programin e saj, PD angazhohet për rritjen progresive të buxhetit për Artin, Kulturën dhe Trashëgiminë e Kulturës në masën 50 milionë euro.

Gjithashtu parashikohet 0% taksë për individin krijues, për të nxitur krijimtarinë në sektor të industrisë kreative.

Rinfond, do të jetë fondi prej 1 milion euro i kushtuar për artistët e rinj në të gjitha fushat e krijimtarisë, sepse të rinjtë tanë meritojnë më shumë, ata duhet të shkëlqejnë me artin dhe talentin e tyre në Shqipëri.

Partia Demokratike angazhohet se do të rrisë në masën 5 milionë euro buxhetin për kinematografinë, duke synuar me këtë prodhimin, promovimin dhe distribuimin e produktit kinematografik shqiptar.

Po ashtu, do të krijohet për herë të parë mekanizmi i rimbursimit për të gjithë investitorët e huaj në kinematografi në masën 35% (mekanizmi i njohur si Tax Credit ose Tax Rebate).

Përmes Strategjisë Kombëtare për zbatimin e “Ligjit për të Drejtën e Autorit”, PD synon 10-fishimin të ardhurat që gjenerohen nga industria kreative të lidhura me të drejtën e autorit nga 0.7 milionë euro që është sot synojmë 7 milionë euro.

Në program parashikohet rivitalizimi i Qendrave të Artit për Fëmijë dhe të Rinj në 61 Bashki, gjithashtu në ngritjen dhe themelimin e institucioneve të reja si: Qendra Kombëtare të Artit Bashkëkohor (QKAB), Qendra Kombëtare e Artit Shqiptar, Fondacioni për Letërsinë Shqipe, Fondit për Kreditim në Kulturë, Agjencia e Librit Shqip, Teatër i ri për artistët e rinj të arteve të performuara, Teatri Alternativ, Galeria Impresionizmit Shqiptar “Vangjush Mio”.

Gjithashtu, do të fitojnë statusin e Teatrit Kombëtar, Teatri “Migjeni” Shkodër, Teatri “Andon Zako Çajupi” Korçë, Teatri “Petro Marko” Vlorë.

Në program thuhet se, “kultura është pasqyra shpirtërore dhe evolutive e çdo shoqërie. Investimi për sigurimin e vazhdimësisë dhe rijetësimin e gjithë sferës së kulturës, artit, trashëgimisë dhe gjuhës shqipe është mbi të gjitha një nevojë jetike dhe një detyrë qytetare e cila është reflektuar si një nga angazhimet kryesore që Partia Demokratike do të çojë përpara. Ne do të sigurojmë hartimin e një mjedisi ligjor që garanton zbatimin e këtij programi për reformim funksional dhe logjik të artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore duke specifikuar këtu rishikimin dhe hartimin e tyre në përputhje me standardet evropiane të të gjithë spektrit të paketave ligjore”.

Partia Demokratike angazhohet për të krijuar “Ligjin e ri për Artin, Kulturën dhe Krijimtarinë” i cili reflekton një kuadër të plotë ligjor, duke nisur me rikonceptimin, rithemelimin apo shndërrimin e statuseve të institucioneve të artit dhe kulturës në nivel qendror e lokal, e që gjithashtu rregullon marrëdhëniet e infrastrukturës dhe faktorëve të tjerë të industrisë kreative publike apo private.

Partia Demokratike gjithashtu angazhohet për të krijuar “Ligjin për Sponsorizimet dhe Nxitësit Fiskalë”, plotësimin e tij me kornizën e duhur ligjore për ta bërë më fleksibël dhe funksional duke pasur si qellim forcimin, fuqizimin dhe çlirimin e tregut të artit dhe kulturës si dhe nxitjen e filantropisë.

Gjithashtu PD angazhohet për të krijuar “Ligjin për Kinematografinë” duke krijuar mundësi të reja përmes politikave dinamike të cilat do të stimulojnë sektorin kinematografik për bashkëprodhim me kompani të huaja, me fokus në fuqizimin e sektorit vendas dhe atë kombëtar në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Programi për sportin parashikon rishikimin e ligjit të sponsorizimit.

Aplikueshmëria e këtij ligji do kishte impakt të menjëhershëm në rritjen e buxhetit për sportin. Ndërtimin e terreneve të reja sportive. Restaurimin e infrasktrukturës aktuale sportive, thuhet në programin e PD.

Partia Demokratike angazhohet në rikthimin e dinjitetit të sportistit ku klubet sportive të mbajtura peng nga ligji aktual i sportit edhe pse me status kampioni kombëtar, jo vetëm paguhen me rroga qesharake, por trajtohen sikur të ishin militant partie dhe i kanë shndërruar këto klube në zgjatime të partisë në pushtet. Ky do ishte dhe hapi i parë drejt privatizimit të klubeve.

Partia Demokratike merr përsipër angazhimin e 1500 trajnerëve të rinj në arsimin parauniversitar, për t’i dhënë mundësinë të rinjve të ndjekin ëndrrat e tyre pa u privuar nga kosto e lartë, ku sot çdo familje paguan mesatarisht 1500-2000 euro në vit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit