Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se bashkëpunimi mes Rusisë, Turqisë dhe Iranit nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara (OKB), do të mundësojë mbështetje serioze për hapat e hedhur drejt paqes në Siri.
Në deklaratën për gazetarët në Moskë, Peskov theksoi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, javëve të fundit është në kontakt të vazhdueshëm me Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan si dhe me presidentin e Iranit, Hasan Ruhani.
Ai bëri të ditur se këto aktivitete do të vazhdojnë dhe në periudhën e ardhshme. “Pritet që bashkëpunimi mes Rusisë, Turqisë dhe Iranit nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara (OKB), të mundësojë mbështetje serioze për hapat e hedhur drejt paqes në Siri”, tha Peskov.
“E konsiderojmë si të pamjaftueshme mbështetjen e SHBA-ve për të mundësuar stabilitetin në Siri dhe për çështjen e arritjes së zgjidhjes politike dhe diplomatike”, theksoi Peskov duke përmendur dhe bashkëveprimin e SHBA-ve dhe Rusisë në Siri.
Në bisedën telefonike të javës së kaluar mes presidentit Erdoğan dhe Putin, u vendos që Samiti i dytë i liderëve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit, pas atij të parit të organizuar në Soçi, të mbahet në Stamboll./Rtv islam/


