Bashkia e Tiranës ka marrë zyrat e “Fryma e Re Demokratike”, kësaj herë pa shkaktuar asnjë incident, edhe pse çështja u dërgua për t’u shqyrtuar në Gjykatën e Lartë.
Policia Bashkiake ka liruar ambientet e FRD-së paraditen e sotme, duke larguar dhe orenditë dhe tryezën e kreut të partisë, Sali Shehut.
Edhe pse nuk ka pasur përplasje apo rezistencë, Policia ka qëndruar në gatishmëri për të shmangur konflikte të reja të mundshme. Herën e fundit që Bashkia tentoi të rimerrte hapësirat, mes palëve nisi një konflikt, ku u përfshi edhe presidenti Ilir Meta.
Gjithçka nisi për shkak të një kontrate që kishte përfunduar për përdorimin e godinës nga FRD, ndërkohë që kjo parti pretendon se në bazë të Kodit Zgjedhor selia duhet t’i garantohet nga ana e shtetit. Bashkia e Tiranës kërkonte lirimin e zyrave duke pretenduar se godina është e amortizuar dhe se FRD nuk ishte pronare e godinës.


