Gjermania, Suedia dhe Polonia kanë njoftuar se do të dëbojnë secila nga një diplomat rus, si kundërpërgjigje ndaj Moskës, e cila javën e kaluar veproi njësoj me diplomatët nga të tria vendet anëtare të BE-së.
Moska i dëboi diplomatët evropianë për pretendimet se kanë marrë pjesë në protesta të mbështetësve të kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.

Gjermania ka thënë se personeli i Ambasadës së Gjermanisë në Moskë kishte vepruar bazuar në të drejtat që i siguron Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe se veprimi i Moskës ndaj diplomatëve evropianë nuk ishte i “arsyetuar në asnjë mënyrë”.
Të hënën, Ministria e Jashtme e Gjermanisë njoftoi se një diplomat i Ambasadës së Rusisë në Berlin është shpallur person i padëshiruar (‘non grata’). Edhe qeveritë suedeze dhe polake bënë njoftime të ngjashme.


