BE “ja pret” shkurt Britanisë: S’ka përzgjedhje “në shportën” tonë

Mos i humb

Bashkimi Europian i ka rikujtuar Britanisë së Madhe se nuk mund të largohet nga blloku dhe më pas të përfitojë lehtësi preferenciale në marrëdhënien e re me Brukselin.

Kryenegociatori i BE-së në procesin e bisedimeve me Londrën, Michel Barnier sqaroi se periudha e tranzicionit do të zgjasë 21 muaj.

“Pozicioni i BE-së është shumë i qartë; periudha e tranzicionit do të zgjasë 21 muaj, deri më 31 dhjetor 2020. Gjatë kësaj periudhe, të gjitha rregullat e BE-së do të zbatohen nga Britania e Madhe, kjo përfshin edhe rregullat e reja që mund të hyjnë në fuqi gjatë kësaj periudhe tranzicioni”, deklaroi Barnier.

Kreu i grupit negociator të Brukselit foli gjithashtu për 4 pikat bazë të firmosura nga 27 vendet e bllokut, të cilat nuk mund të shkelen.

“Së pari, do të zbatohen të gjithë instrumentet rregullatorë dhe strukturorë të BE-së për shkëputjen. Së dyti, nuk do të ketë lehtësi preferenciale. Britania do të vazhdojë të jetë pjesë e unionit doganor dhe tregut të përbashkët. Së treti, pas 30 marsit 2019, Britania nuk do të përfaqësohet më në institucionet e organizmat e BE-së dhe në fund, periudha e tranzicionit nuk duhet të zgjasë përtej 31 dhjetorit 2020”, deklaroi Barnier.

Gjatë bisedimeve, Britania e Madhe kishte kërkuar pjesëmarrjen në tregun e përbashkët të BE-së, por jo në regjimin doganor të unionit./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit