BE-së i nevojiten 180 miliardë euro për objektivat klimatike 2030

Mos i humb

Rreth 180 miliardë euro investime shtesë në vit janë të nevojshme për të arritur objektivat e Bashkimit Europian (BE) të vitit 2030 të dakorduara në Paris, duke përfshirë një shkurtim prej 40 për qind të emetimeve të gazrave serrë.

Një vit më parë, Komisioni Evropian (KE) caktoi një “grup të ekspertëve” të nivelit të lartë për financimin e qëndrueshëm në zbatimin e një tërësie rekomandimesh për sektorin financiar, me qëllim mbështetjen e tranzicionit të ekonomisë me karbon të ulët.

Në një njoftim të lëshuar për media, KE-ja zbuloi planin e saj të ri të veprimit të bazuar në raportin përfundimtar të “grupit të ekspertëve” për një sistem financiar që mbështet axhendën e BE-së mbi klimën dhe zhvillimin e qëndrueshëm për vitin 2030.

“Derisa planeti ynë gjithnjë e më shumë përballet me pasoja të paparashikueshme të ndryshimeve klimatike dhe zhdukjes së resurseve, është i nevojshëm një veprim urgjent për t’u përshtatur me një model më të qëndrueshëm”, tha KE-ja në njoftim.

Si rezultat, theksohet më tej në njoftim, “Komisioni po përcakton një udhërrëfyes për të rritur rolin e financave në arritjen e një ekonomie me performancë të mirë që ndihmon edhe për qëllime mjedisore dhe sociale”.

Një konferencë e nivelit të lartë do të organizohet më 22 mars për të diskutuar planin e veprimit të paraqitur nga KE-ja dje, 8 mars.

Nga KE-ja u bë e ditur se strategjia është “një nga hapat kyçe drejt zbatimit të Marrëveshjes historike të Parisit dhe axhendës së BE-së për zhvillim të qëndrueshëm”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit