
Bashkimi Evropian (BE) kërkoi nga udhëheqësit ushtarakë në Sudan që të japin përparësi në arritjen e një marrëveshjeje, në mënyrë që të hapin rrugë për një tranzicion të udhëhequr nga civilët.
Zëdhënësja e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Maja Kocijançiç paralajmëroi udhëheqësit ushtarakë se BE me 28 anëtarët e saj nuk mund të merret më me ta, përveç nëse ata tregojnë urgjencën për t’ia dorëzuar pushtetin një autoriteti civil.
“BE-ja vazhdon të mbështesë përpjekjet e ndërmjetësimit të Unionit Afrikan dhe Etiopisë dhe i bën thirrje Këshillit të Përkohshëm Ushtarak (TMC) dhe Forcave për Liri dhe Ndryshim (FFC) që të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe sa më shpejtë të arrijnë një marrëveshje për të hapur rrugën për një tranzicion të udhëhequr nga civilët në Sudan”, tha Kocijançiç në një deklaratë.
“Vrasja tragjike e 8 personave në fillim të kësaj jave, në mesin e tyre 5 nxënës shkollorë, duke marrë pjesë në një demonstratë paqësore në El Obeid, e bën edhe më urgjente formimin e një qeverie kalimtare që mbështetet gjerësisht nga populli sudanez”, shtoi ajo.
Kocijançiç, e cila poashtu është krahu i politikës evropiane të fqinjësisë dhe negociatave, tha se autorët duhet të nxirren menjëherë para drejtësisë nga autoritetet sudaneze. Ajo tha se TMC ka për detyrë të garantojë sigurinë e të gjithëve në Sudan.
“BE do të jetë në gjende të angazhohet vetëm me një qeveri në të cilët civilët ushtrojnë një autoritet të demonstrueshëm”, thuhet në deklaratën e Kocijançiç.
Sudani ka mbetur në trazira që nga prilli, kur ushtria rrëzoi presidentin Omar al-Bashir pas disa muajve protesta kundër udhëheqjes së tij 30-vjeçare.


