
Disa ditë më parë ishte raportuar se në kuadër të projektit “Kthimi i qëndrueshëm – mbështetja dhe fuqizimi”, të cilin e financon Bashkimi Evropian, serbëve të zhvendosur në pjesë të ndryshme të Serbisë u është bërë thirrje publike që të kthehen dhe atyre do t’u jepen mjete të ndryshme në vlerë prej 2.500 eurosh.
Një projekt i njëjtë 2-milionësh është realizuar edhe nga Komuna e Vushtrrisë në periudhën 2003 – 2010, por serbët përveçqë morën nga 2 mijë euro para të gatshme demoluan shtëpitë dhe ikën sërish në Serbi.
Mirëpo zyra e BE-së në një përgjigje dhënë “Zërit” e ka mohuar këtë gjë, duke thënë që po financojnë kthimin dhe riintegrimin e 11 komunave të Kosovës, duke u ofruar mundësi të kthehen familjet e pakicave të zhvendosura me origjinë nga Kosova.
“Zyra e BE aktualisht nuk financon asnjë projekt kthimi dhe riintegrimi në katër komuna veriore të Kosovës. Aktualisht po financojmë një projekt për kthim dhe riintegrim në 11 komuna (Pejë, Klinë, Istog, Obiliq, Fushë Kosovë, Graçanicë, Novobërdë, Kamenicë, Shtërpcë , Prizrenit dhe Rahovecit) duke u ofruar mundësi të kthehen për familjet e pakicave të zhvendosura me origjinë nga Kosova”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas tyre ky projekt zbatohet me procedura strikte duke konfirmuar pranueshmërinë e përfituesve të ardhshëm përmes librave të gjendjes civile, titujve të pronësisë dhe kritereve të tjera të përzgjedhjes së përfituesve.


