Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili prej dy ditësh nuk arriti të dëshmonte në Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi, pasi opozita dhe mazhoranca nuk ranë dakord për procedurën deklaroi sot nga qelia se “dështimin politik deputetët e opozitës nuk i lejoj ta përcjellin në nëpërkëmbje të dinjitetit tim”.
“Prej mars 2024 kur është miratuar ngritja e komisionit hetimor parlamentar për koncensionet në shëndetësi, nga deputetët nismëtare jam përballur me akuza, fyerje si hajdut, kriminel etj. Kam pritur në heshtje ditën e përballjes në Komision. Ditën e martë jam paraqitur në orën 10 dhe deri në orën 19.30 jam penguar të jap dëshminë. Është penguar të flasë edhe avokati im”, tha Beqaj.
Beqaj u shpreh se “ditën e mërkurë jam paraqitur në orën 10.30 sipas njoftimit dhe kam pritur deri në orën 01.40 të ditës së enjte. Edhe në mbledhjet e këtyre dy ditëve që janë publike, me zë dhe figurë, jam përballur me akuzat, talljet e fyerjet nga Vokshi, Zhupa, Koreshi dhe Hoti”.
“Në atë orë të natës, duke qëndruar pranë sallës së mbledhjes në pritje për të dëshmuar dhe duke ndjekur punimet e komisionit, kam dëgjuar deputeten Zhupa që sikur unë të isha send kërkonte që meqë kishte kaluar ora 24 e datës 13 nëntor të kthehesha në qeli, pasi sipas saj kjo ishte leja e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve”, bëri të ditur Beqaj.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, sqaroi Beqaj, edhe për një të paraburgosur në rast marrje në pyetje apo procesi gjyqësor qëndrimi nuk varet nga orari i lejes, por kohëzgjatja e seancës përkatëse.
“Kam hyrë në sallën e mbledhjes vetëm një hap nga dera dhe kam shprehur haptazi revoltën time për talljen deri në kufijtë e torturës që bëhej prej më shumë se 14 orësh. Nuk kam kërcënuar apo fyer askënd. I kam treguar i revoltuar deputetes Zhupa se jam aty në pritje prej orës 10.30. Edhe nëse jam i paraburgosur nuk pranoj të më fyejnë dhe të më marrin nëpër këmbë. Këtë e refuzoj, e kundërshtoj dhe do të vazhdoj ta kundërshtoj”, nënvizoi Beqaj.
Ish-zv/ministri Beqaj u shpreh se “në 8 muaj hetime të komisionit, të gjithë dëshmitarët kanë provuar që dy koncensionet objekt hetimi janë histori suksesi”.
Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi, u zhvillua përgjatë dy ditëve me debate mes opozitës dhe mazhorancës. Debatet u zhvilluan në lidhje me dëshminë e ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili për dy ditë me radhë u shfaq në Kryesinë e Kuvendit, për të dhënë dëshminë e tij në Komision. Komisioni vijoi mbrëmjen e djeshme deti në orën 01:40 të ditës së sotme ndërsa dëshmia e tij nuk u dha për shkak të debateve mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës që kërkonin të thirren për të dëshmuar Vilma Nushi si dhe kryeministri Edi Rama.