Berisha: Djegësat, vjedhja e shekullit, hetimi i tyre, dështimi i shekullit

Mos i humb

Kryetari i grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, “sekuestrimi këtë javë i shoqërisë Integrated Energy dhe pasurive të tyre nga SPAK, ka qenë temë kryesore e debatit javor”.

“Personalisht unë dhe PD kemi mbështetur dhe do mbështesim çdo masë, vendim, akt që përputhet me zbatimin e paanshëm të ligjit”, tha Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët.

“Në këtë kuadër, ne mbështesim si një masë në drejtimin e duhur, vendosjen e sekuestros mbi shoqëritë dhe pasuritë e shoqërive që në letra kanë në pronësi djegësin e Tiranës”, theksoi ai.

Por, vijoi Berisha, “PD përsërit gjithashtu se, sikundër djegësat janë vjedhja e shekullit, hetimi i tyre është dështimi i shekullit’.

“Vonesat në hetim i kanë kushtuar qytetarëve mbi 40 milionë euro të grabitura nga hajdutët e shekullit. Për PD-në, vonesa e kësaj sekuestroje përbën në vetvete një vepër të rëndë penale”, tha Berisha.

Së pari, shtoi ai, “sepse vetëm pak muaj më parë kreu i SPAK deklaroi se nuk vendosim sekuestro se nuk dimë pronarët dhe ata do na hedhin në arbitrazh. Me këtë pohim ai pohoi se ekzekutivi po fsheh pronarët e kompanive për të vazhduar të qetë vjedhjen e miliona eurove. Ata e bënë këtë fshehje, këtë vepër penale, jo për të mbrojtur pasurimin e Zotos dhe Mërtirit, por për të mbrojtur pasurimin e tyre, sepse pronarët e vërtetë janë Rama dhe Veliaj dhe të tjerë”.

“Ata të cilët kanë fshehur pronarët në letra, kanë kryer një krim të shëmtuar dhe duhej të ishin me kohë në qeli, por kjo nuk ndodh sepse prokuroria është e tyre. Prokurori e di se shteti është i detyruar t’i dalë zot para ligjit kontratës që ka firmosur, dhe kur ajo nuk i del zot, fsheh një krim apo kryen një krim”, tha Berisha.

“Erion Veliaj dhe Edi Rama dhe të gjithë ata që kanë firmat në koncesionin e Tiranës dhe i kanë fshehur pronarët de jure kanë kryer vepër të rëndë penale dhe e kanë bërë këtë vetëm sepse ajo ishte pronë e tyre”, nënvizoi Berisha.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit