Në një konferencë për shtyp, Berisha denoncoi “indiferencën antikushtetuese të SPAK dhe drejtësisë shqiptare ndaj aferës McGonigal në Shqipëri”.
“Shqipëria do skuqet nga turpi vetëm pak ditë më vonë, kur McGonigal të shpallë veten fajtor për krimet që ka kryer në Shqipëri. Nuk mund të ketë drejtësi në botë, përveç asaj që funksionon në kontrollin e plotë të qeverisë, që nuk hap hetimin për këtë çështje”, tha ai.
Sipas Berishës, “një heshtje e tillë armiqësore ndaj ligjit, Kushtetutës, opozitës së vendit dhe rendit demokratik, mund ta mbajnë vetëm prokuror dhe hetues, militantë fanatikë të Edi Ramës”.
Berisha tha se “veprimtaria kriminale antiligjore e McGonigal, Duçkës, Nezës dhe të tjerëve, në Shqipëri është pesëvjeçare dhe është e zhvilluar në disa drejtime”.
“Drejtimi i parë në skemën e Deripaskës por me pasoja tragjike për një komb anëtar të NATO-s. Angazhimi i tij në bashkëpunim të ngushtë me Edi Ramën për shkatërrimin e opozitës shqiptare, për një puç antikushtetues ndaj opozitës dhe presidentit të Republikës si kundërshtar i Edi Ramës. Vendosja e gjobave shumëmilioneshe ndaj bizneseve që ishin nën sanksione duke i mashtruar se mund t’i hiqnin nga lista përkundrejt pagesave. Ndërhyrje korruptive për heqje licence nafte dhe dhënien te një kompani ruse, të kontrolluar mesa duket nga Deripaska”, theksoi ai


