Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot pas bllokimit të foltores së Kuvendit me karrike se kjo ishte një grevë e përkohshme aq, sipas tij, sa do të vazhdonte turpi i parlamentit. “Ne shpallëm një grevë të përkohshme”, komentoi ai zhvillimet e sotme në Kuvend.
“Unë ua thashë edhe deputetëve socialistë, ne nuk kemi punë me ta, ne kemi punë me Edi Ramën. Ne kemi punë me Taulant Ballën”, deklaroi Berisha.
“Ne kërkojmë të drejtat tona kushtetuese, së pari të drejtën e krijimit të komisionit hetimor parlamentar; së dyti, të drejtën e procedurës parlamentare për nismat tona ligjvënëse. Ne nuk themi se nisma jonë ligjvënëse do shndërrohet në ligj, por ajo duhet të kalojë të gjithë procedurën parlamentare dhe të mos mbetet në sirtaret e kryetares së parlamentit”, tha Berisha.
“Kjo nuk ndodh kund në botë. Ne kërkojmë që përfaqësuesit tanë, në komisione dhe kudo, t’i caktojë grupi parlamentar dhe jo Edi Rama.
Besoj se këto janë kërkesat më legjitime, pa të cilat ne nuk kemi asnjë lloj autorizimi nga zgjedhësit tanë që të vazhdojmë si marioneta në aktivitetin tonë parlamentar”, përfundoi ai.


