Ai e cilësoi PD-në si një parti të ndërtuar mbi vlera dhe parime, duke shtuar se ajo nuk mund të blihet apo të shitet. Mes të tjerash Berisha tha se tani do përmbysim edhe diktaturën e Edvin Ballukut, duke ironizuar kryeministrin Rama dhe Belinda Ballukun.
I dashur miku im i viteve ’90 e gjer sot, kryetar i Këshillit Kombëtar, këshilltar për veprimin konservator pranë zëvendëspresidentit JD Vance, Bob McEween, është nder i madh që je sot midis nesh.
I dashur Bob, 35 vite më parë përmbysëm një diktaturë, diktaturën më oruelliane të Evropës së bashku, tani do përmbysim diktaturën e Edvin Ballukut, diktaturën më të shëmtuar midis diktaturave autokratike.
Është nder të përshëndes praninë këtu të përfaqësuesit të Neo Demokracisë, parti mike, deputeti Giogiakos, me lidhje të forta që nga takimi i parë në janarin e vitit 1991 me kryeministrin Kostandin Micotaqis dhe vazhdojmë me të birin, Qirjako Micotaqis, ne jemi krenarë për bashkëpunimin dhe miqësinë me ju.
I dashur zoti Kovacki, përfaqësu i partisë mike VMRO-DPMNE, në një bashkëpunim të gjatë, të frytshëm, të suksesshëm midis dy partive dhe dy vendeve tona, u falënderoj shumë për praninë tuaj.
I dashur Volkmar Klein, mik i çmuar i PD, demokracisë dhe Shqipërisë.
Është nder i veçantë për ne të kemi një mik si ju, u falënderoj shumë për praninë tuaj sot në këtë kuvend.
I dashur Thomas, një mirënjohje të veçantë për ju, mik i ditëve të vështira, për ndihmesën tejet të çmuar që i dhe PD, për fjalën që thatë, por edhe për bashkëpunimin në dekada që PD ka pasur me Bashkimin Kristian Demokrat gjerman dhe Fondacionin Adenauer, ne u jemi shumë mirënjohës partisë tuaj dhe fondacionit. E dija që kishim rrugë të vështirë, na prisnin beteja të egra. Në karrierën time politike dhe në jetë kam bërë gabime, kam pasur një avantazh të madh që nga vitet e rinise deri sot, kam ruajtur të paprekur bindjen se jashtë teorisë së gabimit kurrkush nuk del, por duhet t’i korrigjojmë ato. Por në një gjë që nuk kam gabuar është në besimin ndaj jush. Nuk kam vendosur kurrë në dyshim besimin te ju, karakterin tuaj të fortë, idealet tuaja e përkushtimin tuaj. Kjo parti është për vlera, nuk shitet dhe as nuk blihet. Sa herë rrëzohemi, ngrihemi përsëri.”, tha Berisha.


