Kuvendi i PD miraton rezolutë: 11 maji “farsë elektorale” dhe kërkesë për qeveri teknike

Mos i humb

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar një rezolutë, në të cilën denoncon procesin zgjedhor të 11 majit si një “farsë elektorale” dhe akuzon qeverinë për instalimin e një regjimi autokratik dhe kleptokratik në Shqipëri. Në dokumentin e miratuar nga demokratët, theksohet se vendi ndodhet në një udhëkryq historik, ndërsa misioni kryesor i opozitës mbetet rikthimi i demokracisë dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Sipas rezolutës, pushteti aktual mbahet në këmbë përmes manipulimit të procesit zgjedhor, ndërthurjes së partisë me shtetin, përdorimit të administratës dhe ndikimit të krimit të organizuar në zgjedhje. Demokratët argumentojnë se këto fenomene janë evidentuar edhe në raportet e organizmave ndërkombëtarë, të cilat sipas tyre kanë ngritur shqetësime serioze për standardet demokratike në vend.

Në dokument ngrihet alarmi edhe për situatën ekonomike dhe sociale, emigracionin, korrupsionin dhe pastrimin e parave, ndërsa Shqipëria cilësohet si një vend ku krimi i organizuar dhe interesat klienteliste kanë depërtuar në funksionet kryesore të shtetit. PD akuzon qeverinë se ka penguar kontrollin demokratik dhe ka kufizuar rolin kushtetues të opozitës, si në Kuvend ashtu edhe në proceset e integrimit evropian.

Një nga pikat kryesore të rezolutës është kërkesa për krijimin e një qeverie teknike që, sipas PD-së, do të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve me standarde të pranueshme demokratike. Në fund të dokumentit, Kuvendi Kombëtar u bën thirrje forcave opozitare dhe faktorëve shoqërorë të bashkohen në një front të përbashkët për atë që e cilëson si përmbysje të regjimit autokratik dhe ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe evropiane.

REZOLUTA
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, mbledhur sot më datë 30.05.2026, pasi mori në shqyrtim situatën politike dhe shoqërore në Shqipëri, konstaton se: Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq historik. Në vend është instaluar një regjim autokratik dhe kleptokratik, në të cilin të gjitha pushtetet përqendrohen në një dorë, shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin, zgjedhjet me farsën zgjedhore;

Regjimi qëndron në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve farsë. Raportet ndërkombëtare kanë provuar përfundimisht shuarjen e kufijve midis partisë dhe shtetit, patronazhimin që ushtron presion të skajshëm politik ndaj votuesit, përdorimin e krimit të organizuar për mbledhjen e votave si dhe ekzistencën e një administrate shumë të fryrë politike!

Shqipëria po zbrazet çdo ditë e më shumë! Vendi po kalon një situatë depresive ekonomike dhe shoqërore, të mungesës së shpresës dhe besimit për të ardhmen! Pamundësia për të jetuar me punë të ndershme dhe mungesa e perspektivës, shtrenjtimi i skajshëm i jetesës, papunësia dhe rënia e prodhimit vendas, mungesa e shanseve të barabarta, mungesa e një sistemi arsimor dhe shëndetësor dinjitoz, mungesa e shërbimeve bazike veçanërisht për shqiptarët që jetojnë në zonat rurale, po prodhojnë çdo vit emigracion masiv të rinisë dhe pjesës më të kualifikuar të forcës prodhuese.

Shqipëria është një narkoshtet! Ajo është kthyer në epiqendrën e krimit të organizuar dhe larjes së parasë së pisët. Krimi i organizuar kontrollon funksionet kryesore të shtetit, korrupsioni është i kudondodhur, agjencitë shtetërore të rendit dhe të sigurisë janë kompromentuar rëndë, sistemi gjyqësor është në kolaps, prona është e pambrojtur dhe aspak e sigurtë.

Ekonomia e furnizuar nga narkoeurot si dhe burimet kombëtare janë përqendruar në duar të personave të lidhur drejtpërdrejtë me qeverinë dhe krimin, nëpërmjet PPP megakorruptive dhe prokurimeve publike me fitues të paracaktuar. Biznesi për të mbijetuar duhet të gjunjëzohet. Kush nuk e bën shantazhohet. Paratë e krimit të organizuar pastrohen haptazi, veçanërisht në sektorin e ndërtimit. Në këmbim, me to blihen vota për të mbajtur narkoshtetin në pushtet. Kjo ka bllokuar rotacionin normal politik, në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve;

Maxhoranca socialiste dhe drejtuesi i saj Edi Rama, pasi nuk ia dolën ta zhbëjnë apo ta blejnë Opozitën dhe Partinë Demokratike, po ndërmarrin çdo hap për të tkurrur rolin e saj kushtetues të kontrollit të pushtetit! Në Kuvend, hapësira legjislative dhe mbikëqyrëse që i takon Opozitës është tkurrur në maksimum. Opozita është përjashtuar tërësisht nga procesi i integrimit të vendit dhe ai mbikëqyrës institucional. Ndërkaq, mediat në shumicë të kontrolluara, tentojnë çdo ditë të shuajnë zërin e saj!

Maxhoranca socialiste dhe drejtuesi i saj Edi Rama i ka ofruar mbrojtje maksimale megakorrupsionit, nëpërmjet mbrojtes së megakorrpsionit me imunitet parlamentar dhe moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Këto janë standard unikale për një vend që synon të bëhet pjesë e Evropës, në shkelje flagrante të ligjit dhe moralit politik dhe shoqëror evropian!

Në këtë kontekst të vështirë, Partia Demokratike ia ka dalë të ekspozojë tërësisht realitetin e hidhur shqiptar. Raporti OHDIR që shkërmoqi Partinë-Shtet, dy misione vëzhgimi nga institucionet ndërkombëtare, 8 rezoluta ndërkombëtare që rendisin të gjitha gjetjet dhe shqetësimet si dhe 34 kushtet e reja të imponuara nga BE në procesin e integrimit evropian, tregojnë qartë se realiteti shqiptar i fasadës demokratike dhe opinioneve të komisionuar, tashmë është përpara syve të opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar.

PËR KËTË ARSYE, KUVENDI KOMBËTAR I PARTISË DEMOKRATIKE DEKLARON SE:

Misioni i saj madhor ka qene dhe mbetet ‘Shqipëria Evropiane’ dhe ‘Shqipëria si e gjithë Evropa’. Për këtë, ndalimi i menjëhershëm i shpopullimit të Shqipërisë si kërcënimi më serioz që përballet Shqipëria, nëpërmjet shkëputjes së Shqipërisë nga shtetkapja dhe krimi i organizuar, lufta pas asnjë kompromis kundër pastrimit të parave, korrupsionit dhe keqqeverisjes, janë prioritete absolute të saj; Falënderon Misionin e OHDIR, Partinë Popullore Evropian dhe Unioni Ndërkombëtar Demokrat për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Partisë Demokratike në luftën e saj të pareshtur për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme, në përputhje me standardet më të mira të OSBE/OHDIR-it.

Konsideron zgjedhjet e lira dhe të ndershme si mekanizëm thelbësor që garanton pluralizmin politik dhe vlerat e familjes evropiane ku duam të bëhemi pjesë. Për këtë arsye Partia Demokratike do beje çdo përpjekje për një qeveri teknike, për të garantuar minimumin e standardeve të pranueshme zgjedhore, si parakusht për rotacionin politik që presin shqiptarët.

Mbështet me të gjitha forcat dhe mundësitë e saj procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, si interes madhor kombëtar që shpreh aspiratat shekullore të shqiptarëve. Por njëkohësisht deklaron se Shqipëria në Evropë duhet të shkojë për meritë të saj, duke plotësuar të gjitha standardet evropiane drejtësisë dhe të shtetit ligjor. Ne kundërshtojmë më forcën më të madhe çdo projekt paralel që lë mënjane plotësimin e standardeve në këmbim të një anëtarësimi gjysmak;

Deklaron se në të gjithë aktivitetin e saj politik, nëpërmjet Grupit të saj Parlamentar në Kuvend dhe strukturës së saj kudo në Shqipëri, do të angazhohet në çdo akuze të drejtë në mbrojtje të qytetarëve të saj, të shtetit ligjor, të mirëqeverisjes, dhe transparencës, të normave demokratike, të lirisë së shprehjes dhe besimit. Kudo ku ka një kauzë për të mbrojtur, aty do të jetë Partia Demokratike, drejtuesit dhe strukturat e saj!

Për të realizuar misionin e saj, Kuvend Kombëtar i Partisë Demokratike bën një thirrje të sinqertë për bashkimin e të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë në një front të vetëm opozitar, duke lënë mënjane çdo dallim, në emër të objektivit tonë të përbashkët: përmbysjes së regjimit autokratik dhe kleptokratik, si dhe mundësimit të së ardhmes së Shqipërisë tonë Evropiane!

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit