Kryetari i Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha i bëri apel qytetarëve të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore.
Pas votimit në shkollën “Kosova”, Tiranë, në një prononcim për mediet Berisha theksoi se “të gjithë ata të cilët u ftuan nga armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve, që të rrinë në shtëpi, të mos harrojnë se ky është një nxitje, një apel i madh që ata të marrin pjesë sot në votime. Ai që ka frikë votën, ai ka frikë lirinë dhe është armik i saj”.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarët shqiptarë, të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore.
“Ftoj të gjithë zgjedhësit shqiptarë, të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim, e bën gabimin edhe më të madh. Ndaj dhe le t’u prijë mençuria e tyre, në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes së tyre, vendit të tyre. Kjo është pranvera e ndryshimit! Nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar dhe kjo është një ditë fitoreje për demokracinë shqiptare”, theksoi Berisha.
Më tej Berisha tha se “ka disa problematika, të cilat do duhet të shqyrtohen. Pajisjet kanë pasur në një përqindje jo të vogël, mosfunksionim. Do të dëgjoni në darkë që do thonë se na ndërhynë hakerat iranianë. Në fakt janë hakerat qeveritare që ndërhyjnë”.
Berisha vuri në dukje se “ka disa qendra si për shembull në Durrës ku peshkaqeni famoz si Roni Shqopa dhe disa drejtorë dhe përgjegjës të njësive administrative, kanë preferuar ose kanë dashur të bëjnë xhandarin në qendrën e votimit, por janë përzënë ashtu siç e meritojnë. Noviteti është se nëse i bini numrit të policisë, ai nuk ekziston. Ka marrë pushim sot policia”.


