Berisha: Zgjedhjet e 14 majit më të dhunuarat në histori, PD ka nevojë të hapet

Mos i humb

Kryetari i Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, kupton dhe mirëkupton plotësisht çdo kërkesë nga mbështetësit e PD dhe jo vetëm, që PD të bëjë një analizë transparente dhe i garanton se PD do e bëjë.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se, “ne po bëjmë një analizë me përgjegjësi të plotë të dramës së këtyre zgjedhjeve. Por ne jemi të angazhuar non-stop për të identifikuar dhe vërtetuar gjithçka bëri këto zgjedhje më të dhunuarat në historinë e Shqipërisë”.

“Analiza e deritanishme tregon në mënyrë të qartë si kristali se në një seri bashkish nga veriu në jug, koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ i janë marrë përdhunshëm mandatet. I janë marrë mandate me forcën e bandave nga veriu me përqendrim maksimal në Shkodër, Kurbin, Lezhë, Durrës, Elbasan, Sarandë, Vlorë, Korçë dhe një seri rrethesh të tjera. Zgjedhjet u blenë haptas, sepse mbi 100 mln euro u shpërndanë për asfalte, zhavorre dhe rindërtime”, theksoi Berisha, duke shtuar se kemi të bëjmë me një fenomen që nuk ka ekzistuar.

Berisha u shpreh se, “rrogat dhe pensionet nuk janë rritur kurrë dhe nuk janë përdorur kurrë për fushatë elektorale. Ndërkohë, shpërndarja nën dorë, makineria mafioze e blerjes së votës, duke dhënë nën dorë edhe deri në 600 euro për votë, duke u ofruar komisionerëve 10 mijë euro, edhe 20 milionë lekë, ishte në proporcionet më të paimagjinueshme”.

“Sigurisht që blerësi kryesor i këtyre votave është Edi Rama dhe makineria e tij e narkoshtetit. Por kemi një fakt kësaj herë. Dushkun Doshi. Në këto zgjedhje ai ka marrë mbi 200 mijë vota, pa mbajtur njëherë të vetme një fjalim, pa bërë një herë të vetme një takim, pa paraqitur kurrë në jetën e tij një program, përveç aleancës me Edi Ramën dhe Lulzim Bravën, i cili i dha me firmë të njerëzve të tij, komisionerët dhe numëruesin në një shumicë bashkish të vendit”, tha Berisha.

Berisha tha se, “gjatë kësaj fushate u kam premtuar shqiptarëve se PD do mbrojë votën, duke theksuar se nuk e mbron me armë, se mbrojtja e votës është një proces. Unë ju kuptoj ju, por e konsideroj jetike se do ishte gjëja më e pandershme nëse ne do vinim në diskutim një rezultat pa fakte, pa dokumente të padiskutueshme”.

Berisha shtoi se, “kur them se në këto zgjedhje janë marrë mandate, ne kemi fakte të pakundërshtueshme”.

“Shkodra ka njohur në ditën e votimit, terrorin e bashkimit të të gjitha bandave, që u bashkuan për të vendosur Shkodrën nën terror të votës”, tha Berisha.

Duke folur për mbështetjen e deputetëve të PD ndaj kandidatëve të primareve, Berisha tha se përveç, Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt, deputetët e tjerë i kanë mbështetur.

“Përveç Bashës dhe Alibravës, unë nuk di deputet tjetër që nuk kanë mbështetur kandidatët e primareve. Në këtë kontekst, e vërteta është se ata kanë qëndruar brenda parimeve të statutit dhe të PD-së”, tha Berisha.

Gjithashtu, Berisha theksoi se, “PD ka nevojë të hapet, të hapet, të hapet pa diskutim. Por nëse PD dhe opozita shqiptare, nuk përballet për të garantuar votën e lirë, të garantoj se zgjedhjet, nuk do mbetet element, asnjë lloj shansi për të pasur opozita ndonjë mandat në parlamentin që vjen”.

Berisha shtoi se, duhet një lëvizje paqësore e shoqëruar me mosbindje civile

“Edi Rama nuk e pranon votën e diasporës dhe emigracionit. Nuk e pranoi në vitin 2013. Jam i sigurt se ai nuk e pranon, prandaj teza është se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën, nuk duhet të jemi iluzivë. Forma e vetme me të cilën mund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, është ajo formë e përdorur nga të gjitha vendet kundër monizmit dhe ajo është lëvizja paqësore, demokratike gjer në realizimin e qëllimit të saj. Kjo është bindja ime më e thellë. Pa këtë lëvizje, pa mosbindjen civile, si element të shenjtë të kësaj lëvizje, këtu zgjedhje dhe votime nuk ka”, tha Berisha.

“Votimi i detyrueshëm do e bëjë të pavlefshme blerjen e votës. sepse blerjet janë dy llojesh, nga njëra anë është blerja e të drejtës së votës. Ana tjetër është merr paratë dhe dil e voto për mua. Kjo e dyta, nëse bëhet votimi me detyrim siç e ka Greqia apo Australia.
Një nga miqtë e mi në Australi më ka thënë se kjo është bërë për t’i dhënë fund blerjes së votës. Por Edi Rama nuk e pranon se ai e quan Kodin Zgjedhor një kinezëri. Ai pranon vetëm standarde që i lejojnë atij të manipulojë votën”, u shpreh ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit