Blinken: SHBA po punon ngushtë me Katarin dhe Turqinë për rihapjen e aeroportit të Kabulit

Mos i humb

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken tha se po punojnë ngushtë me Katarin dhe Turqinë për rihapjen e aeroportit ndërkombëtar “Hamid Karzai” në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, transmeton Anadolu Agency (AA).

Blinken në një konferencë për media lidhur me Afganistanin theksoi se Misioni i SHBA-së për Afganistanin vazhdon punën në kryeqytetin e Katarit, Doha. Ai shtoi se këtë fundjavë do të vizitojë kryeqytetin Doha dhe do të takohet atje me afganët e evakuuar.

Më tej Blinken informoi se pas vizitës në Doha, do të vizitojë kryeqytetin e Gjermanisë, Berlinin ku lidhur me çështjen e Afganistanit do të mbajë një mbledhje me ministrat e Jashtëm të 20 vendeve.

Ai bëri të ditur se janë në kontakt me talebanët lidhur me shtetasit amerikanë që qëndrojnë në Afganistan. Blinken vuri në dukje se do të jetë e rëndësishme që talebanët të mbajnë premtimin e tyre për të lejuar të dalin nga vendi ata që dëshirojnë.

“Po punojnë ngushtë me partnerët tanë Katarin dhe Turqinë për rihapjen sa më parë të aeroportit të Kabulit dhe për rimëkëmbjen e kryeqytetit”, tha Blinken.

Nuk do të jepen ndihma humanitare të drejtpërdrejta ndaj qeverisë nën udhëheqjen e talebanëve

“Pavarësisht sanksioneve kundër talebanëve, SHBA-ja do të vazhdojë të japë ndihma humanitare për popullin e Afganistanit”, tha Blinken duke shtuar se “Këto ndihma nuk do të shkojnë përmes qeverisë por nëpërmjet organizatave të pavarura”.

Në pyetjen lidhur me formimin e një qeverie nën udhëheqjen e Mullah Abdul-Ghani Baradar një prej liderëve kryesorë të talebanëve në Afganistan, Blinken u përgjigj se i ka parë lajmet për këtë çështje por se ende nuk është një gjë e saktësuar dhe se për këtë çështje do të komentojë në ditët e ardhshme kur të qartësohet çështja.

Blinken vuri në dukje se pritshmëritë e tyre janë në drejtimin që qeveria që do të formohet të jetë gjithëpërfshirëse dhe në drejtim të formimit të një mjedisi ku edhe ata që nuk janë anëtarë të talebanëve do të marrin një rol në qeveri.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit