Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, njëherësh nënkryetar i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, tha se qeveria e drejtuar po neglizhon interesat e qytetarëve, duke refuzuar masa konkrete për përballimin e rritjes së çmimeve.
Sipas Bozdos, mazhoranca rrëzoi tre nisma ligjore të propozuara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, të cilat synonin uljen e barrës ekonomike për qytetarët. Këto përfshinin reduktimin e taksave mbi karburantet, uljen e akcizës së naftës dhe dizelit si dhe zerimin e akcizës së gazit për industrinë prodhuese “Made in Albania”.
Bozdo e cilësoi refuzimin e këtyre nismave si një vendim politik, teksa theksoi se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë paketë reale mbështetëse për të përballuar krizën e çmimeve. Ai shtoi se, ndërkohë që qytetarët përballen me vështirësi ekonomike, qeveria ka përfituar financiarisht nga rritja e çmimeve, duke mbledhur mbi 10 milionë euro shtesë nga TVSH-ja mbi karburantin vetëm gjatë muajve mars dhe prill.
“Refuzimi i këtyre nismave është një zgjedhje e pastër politike. Është vendimi i një qeverie që nuk ka asnjë vullnet për të ndërhyrë në mbrojtje të qytetarëve. Përkundrazi, Edi Rama ka zgjedhur të mos marrë asnjë masë konkrete për të përballuar krizën e çmimeve, duke i lënë familjet shqiptare dhe ekonominë vendase në mëshirë të fatit dhe zhvillimeve të konfliktit ne Lindjen e Mesme.
“Kemi edhe një tjetër rekord negativ: kjo është e vetmja qeveri në rajon dhe në Evropë që nuk ka ndërmarrë asnjë paketë reale mbështetëse kundër krizës. Ndërkohë, ajo ka përfituar financiarisht nga rritja e çmimeve. Vetëm nga TVSH-ja mbi karburantin, për muajt mars dhe prill, janë mbledhur mbi 10 milionë euro shtesë”, tha ai.
Deputeti tha se paratë nuk janë kthyer në mbështetje për qytetarët, por janë kanalizuar në shpenzime të dyshimta dhe kontrata korruptive.
Në përfundim, Bozdo bëri thirrje që mazhoranca të votojë pro këtyre projektligjeve në seancën plenare, duke i konsideruar ato si masa konkrete dhe të realizueshme për lehtësimin e situatës ekonomike në vend.
“Pyetja është e thjeshtë: ku kanë shkuar këto para? Në vend që t’u kthehen qytetarëve si mbështetje direkte, ato kanalizohen në kontrata dhe marrëveshje të dyshimta korruptive apo ne shpenzime luksi. Pra, ndërsa qytetarët varfërohen dhe ekonomia ka ngecur, qeveria pasurohet dhe refuzon të ndajë këtë barrë me njerëzit. Megjithatë, këto tre projektligje do të paraqiten për votim në seancën e nesërme plenare. Thirrja jonë është e qartë: maxhoranca duhet të tejkalojë interesat e saj politike dhe të votojë në favor të qytetarëve.
“Këto nuk janë propozime partiake. Nuk janë propagandë dhe as ide të parealizueshme. Janë masa konkrete, të provuara në vende të tjera, që japin rezultate të menjëhershme dhe të prekshme për familjet, fermerët dhe prodhuesit shqiptarë. Është momenti për të zgjedhur: interesin e qytetarëve apo interesin e një pakice”, tha Bozdo.


