Nën/kryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari u shpreh sot se, “lajmi mbi kultivimin e kanabisit në repartin elitë të Zall-Herrit tregon qartë degradimin e shtetit, forcave të sigurisë dhe një sistemin kriminal që Rilindja ka ndërtuar në vend”.
“Forcat tona të sigurisë fatkeqësisht janë në degradim të plotë prej politikave të Rilindjes që të vetmen rrugë që i la sigurisë në vend është lidhja me krimin”, theksoi ai në një reagim.
“Anëtarët e organizatës së Policisë së Shtetit, oficerë të lartë policie numërojnë rrënjët e hashashit, ndajnë informacion të klasifikuar me grupet kriminale, përdorën gjerësisht në fushatë për interes të Rilindjes, është parë dhe dëgjuar nga bëmat e Rilindjes, por që në repartin ushtarak elitë të kultivohej kanabis dhe ushtarët të ruanin “mallin” nuk është dëgjuar më parë nga një vend që eshtë anëtarë i NATO-s”, u shpreh Braimllari.
Ai nënvizoi se, “ngjarje të tilla janë tipike për Juntat ushtarake”.
“Edi Rama dhe Niko Peleshi sot duhet të ishin larguar jo vetëm për mashtrimin hapur që i bëjnë partnerëve të NATO-s mbi buxhetin e mbrojtës, për cenimin e sigurisë kombëtare dhe rajonale por dhe për turpin e zi që ka mbuluar forcat tona të armatosura pikërisht nga politikat degraduese të Rilindjes”, përfundoi Braimllari.


