Brazil, shkon në 34 numri i viktimave nga shembja e digës

Mos i humb

Arrin në 34 numri i të vdekurve nga shembja e digës në shtetin juglindor Minas Gerais në Brazil, njoftojnë mediat lokale.

Qindra njerëz llogariten të zhdukur pas shembjes së digës në një minierë hekuri në juglindje të vendit, shkruan e përditshmja braziliane Folha De S.Paulo duke cituar Departamentin zjarrfikës të Minas Gerais.

Departamenti zjarrfikës tha se 23 persona janë në spital. Kompania “Vale SA” në një deklaratë tha se mbeturinat e minierës nga shembja e digës kanë arritur deri në qytetin e afërt Brumadinho dhe se vazhdojnë përpjekjet e evakuimit.

Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, të paktën 427 persona, kryesisht punëtorë të minerës, ishin në vendngjarje dhe 279 prej tyre janë shpëtuar. Ende nuk dihen saktësisht shkaqet për shembjen e digës.

Ndërkohë, presidenti brazilian Jair Bolsonaro shprehu pikëllimin e thellë rreth incidentit, duke dërguar tre ministra në zonën e fatkeqësisë.

Një tjetër digë e mbeturinave të minierës e menaxhuar nga Vale dhe BHP Billiton e Australisë u shemb në vitin 2015, duke marrë 19 jetë njerëzish dhe duke lënë qindra të pastrehë në qytetin Mariana në shtetin Minas Gerais.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit