“Nuk do të jetë më e mundur, që njerëzit nga Europa të vijnë në Britani me shpresën e gjetjes së një vendi pune”, shkruan kryeministrja britanike Theresa May, në Facebook.
Plani i hartuar nga qeveria britanike për “Brexit”-in javën e kaluar, mos do të thotë fund i lëvizjes së lirë? A do të mund t’i nënshkruajmë marrëveshjet tona tregtare? Mbretëria e Bashkuar do të jetë jashtë juridiksionit të Gjykatës Europiane?
“Jam e kënaqur t’iu njoftoj se këto përgjigje janë shumë të thjeshta: po, po, po”, shkruan kryeministrja më tej, duke përsëritur garancitë e dhëna ditët e fundit përballë kundërshtive të brendshme të euroskeptikëve.
E në fakt, këtë të premte është publikuar “Libri i bardhë”, ose dokumenti në të cilin renditen objektivat e qeverisë në lidhje me marrëdhëniet e ardhshme tregtare, që Mbretëria e Bashkuar kërkon të vendosë me BE-në pas daljes nga unioni, parashikuar kjo të ndodhë në fund të marsit 2019.
Në 98 faqe janë ravijëzuar kornizat për një marrëdhënie të re me BE-në, sipas modelit të vendeve si Ukraina apo Norvegjia. Sugjerohet mes të tjerash edhe krijimi i një këshilli ministerial dypalësh, të destinuar të mblidhet dy herë në vit, si dhe të një organi abritrazhi për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi probleme tregtare dhe politike.
Top Channel


