Dy projekte të rëndësishme nisin brenda vitit për rehabilitimin e tokave bujqësore, projekte të Bankës Botërore, me vlerë 23 milionë euro.
Projektet e Bankës Botërore janë instrumente të domosdoshme për zhvillimi rural në Shqipëri. Falë këtyre projekteve dhe këtij bashkëpunimi sot kemi të sistemuara dhe rehabilituara rreth 24300 ha tokë bujqësore në gjithë vendin, dhe priten të shtohen edhe 16500 ha tokë në Lushnjë, Konispol, Kuçovë, Maliq dhe Has.
Lidhur me këtë tematikë gjatë vizitës në qarkun e Fierit, ministri Peleshi ka bërë dhe një ndalesë në stacionin e pompimit të fshatit Sulzotaj, i cili është pjesë e skemës të sapo rehabilituar të Divjakës. Ky është një investim i mbështetur nga Banka Botërore, prej 4.2 milionë euro dhe që ka sistemuar rreth 2800 ha tokë bujqësore.
Qarku i Fierit është zona më intensive bujqësore në Shqipëri. Në këtë qark janë financuar më shumë se 20 projekte të ujitjes dhe kullimit. Argument ende i mprehtë, mbetet ai përmbytjeve.
“Ndërkohë, sfida tjetër, veç kullimit dhe ujitjes, është dhe ajo nga përmbytja. Kur kemi probleme të mëdha, me Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit kemi bërë disa ndërhyrje, brenda mundësive buxhetore që kemi, por ndërkohë kemi analizuar të gjitha pikat e nxehta, që rezultuan edhe pas dy përmbytjeve qe kemi patur në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të vitit aktual. Këto ditë që po flasim, një grup shumë interesant dhe shumë i kualifikuar prej 10 ekspertësh nga Agjencia Kombëtare e Ujit e Turqisë, mundësuar nga qeveria turke, është duke punuar intensivisht, duke inspektuar të gjitha hotspotet tona dhe do të na japë një dorë të fortë për realizimin e këtyre projekteve”, tha më tej Peleshi.
Top Channel