Bullgaria heq gjendjen e jashtëzakonshme pas 2 muajsh në fuqi

Mos i humb

Me rekomandim të Tryezës së Krizës të qeverisë, në Bullgari janë rihapur kopshtet zoologjike, kinematë, teatrot, bibliotekat, muzetë, galeritë, hotelet, parqet dhe objektet sportive.

Kryeministri Bojko Borisov tha se për bizneset më të dëmtuara nga virusi, siç janë restorantet, ëmbëltoret, klubet e natës dhe baret, tatimi i vlerës së shtuar do të ulet nga 20 në 9 për qind. Në përgjgje të ministrit të Financave, Vlladisllav Goranov, i cili e ka kundërshtuar këtë vendim, Borisov tha: “Kush nuk i pëlqen vendimet e mia, le të japë dorëheqjen”.

Ndërkohë, hyrja në Bullgari do të jetë e ndaluar për personat që vijnë nga vende jashtë Bashkimit Evropian (BE), kurse shtetasit e BE-së do të duhet të specifikojnë adresën ku do të qëndrojnë dhe do të mbeten në karantinë nën mbikëqyrjen e policisë.

Nga ana tjetër, Kryemyftinia e Muslimanëve të Bullgarisë njoftoi se xhamitë dhe mesxhidet, të cilat ishin të mbyllura për dy muaj për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, do të hapen sërish për besimtarët.

Nga xhemati u kërkua që të marrin avdes në shtëpitë e tyre, të përdorin maska dhe që xhamia të dezinfektohet para namazit.

Bullgaria deri më tani ka konfirmuar 2.069 raste me COVID-19, ndërsa 96 persona kanë humbur jetën. Ndërkaq, 476 pacientë janë shëruar që nga përhapja e virusit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit