Bust në Tropojë për gjeneralin Tahir Sinani, Ahmeti: Amaneti i të rënëve për liri

Mos i humb

Heroi i kombit, dëshmori i tre luftërave për liri në Kosovë, Luginë e Preshevës, Maqedoni e Veriut, gjenerali legjendar Tahir Sinani, tashmë ka bustin e tij në qytetin e Bajram Currit, Tropojë.

Në Ditën e Dëshmorëve u zhvillua ceremonia e vendosjes së shtatores së dëshmorit të kombit, Tahir Sinani, në Bajram Curri, organizuar nga bashkia Tropojë ku u mblodhën bashkëluftëtarët e tij nga Kosova, Presheva, Tetova si dhe bashkudhëtari i tij i fundit, Ali Ahmeti.

Në këtë ceremoni, merrnin pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriu, Talat Xhaferri, kryetari i BDI-së dhe lideri i koalicionit “Fronti Europian”, Ali Ahmeti, zv.kryeministri i RMV-së, Artan Grubi, ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ish-kryeministri i Shqipërisë, deputeti i PS-së, Pandeli Majko, Fatmir Limaj, Ramiz Lladrovci e shumë të ftuar të tjerë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Vendosja e shtatores së dëshmorit të tre luftërave, UÇK-së, Preshevës e Maqedonisë së Veriut u bë mundur me mbështetjen e liderit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmetit, i cili iu përgjigj iniciativës së Azgan Haklajt dhe Shkëlqim Hajdarit.

“Nuk mund të kishte mënyrë më të mirë për të shënuar 5 Majin – Ditën e Dëshmorëve të Kombit sesa shpalosja e shtatores së bashkëluftëtarit tim, heroit Tahir Sinani në vendlindjen e tij në Tropojë. Mall e krenari ma kaploi shpirtin dhe mu kujtuan ato çaste atdhedashurie që i kaluan bashkë në luftërat tona çlirimtare në Kosovë e Maqedoni” është shprehur Ahmeti.

Ai ka theksuar se Tahiri dhe të gjithë të rënët e lirisë në kauzat tona të drejta kombëtare janë të pavdekshëm duke nënvizuar se “amaneti i tyre është udhërrëfyesi ynë i përhershëm në rrugën e përparimit të mbarë kombit”.

Haradinaj ka thënë se Malësia e Gjakovës si vatër e atdhedashurisë rriti luftëtarë trima.

“Malësia e Gjakovës, vatër e atdhedashurisë dhe shqiptarisë ndër breza, përgjatë shekujve rriti luftëtarë trima e sypatrembur, siç ishte bashkëluftëtari im, Heroi i Kombit, Tahir Sinani nga Tropoja. Tahiri i takon brezit të patriotëve shqiptarë të lëvizjeve për liri, brezit të luftëtarëve të cilët ranë me armë në dorë që të jetojë i lirë shqiptari. Me heroizmin e tij në luftërat çlirimtare, nderoi jo vetëm Tropojën, por mbarë kombin shqiptar”, ka thënë Haradinaj.

Ceremonia e shpalosjes së shtatores u bë në kuadër të festivalit folklorik “Sofra Dardane” me organizimin e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar dhe Bashkisë Tropojë.

Tahir Sinani gjatë Luftës në Kosovë ishte njëri ndër komandantët më aktivë të Zonës Operative të Pashtrikut dhe më vonë iu bashkua UÇPMB-së dhe mori pjesë në Luftës e Luginës së Preshevës. Gjatë Luftës së vitit 2001 në Republikën e Maqedonisë, Tahir Sinani iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe u emërua komandant dhe udhëheqës i Brigadës 116 e cila e mbante emrin e tij.

Më 29 korrik 2001, Tahir Sinani së bashku me 4 luftëtarët e tij e humbi jetën në një aksident duke përgatitur armatimin e sofistikuar të minave me telekomandë kundër armikut, në zonat malore të Gostivarit dhe malit Korab në vendin e quajtur “Zabeli i Kukulit”.

Më 24 maj të vitit 2002, trupi i dëshmorit Tahir Sinani varroset në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit