Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron ka mbërritur në Tiranë. Cameron u prit në Rinas nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, me të cilin do të zhvillojë më pas një takim.
Vetë ministri Hasani, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shprehur kënaqësinë për vizitën e Sekretarit Cameron në vendin tonë.
Sipas kryediplomatit shqiptar, ruajtja e unitetit euroatlantik është thelbësore, në dritën e kërcënimeve aktuale për sigurinë evropiane.
“Kënaqësi e madhe për të mirëpritur Sekretarin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit Davi Cameron për në Tiranë.
Ruajtja e unitetit euroatlantik është thelbësore, në dritën e kërcënimeve aktuale për sigurinë evropiane, duke përfshirë maksimizimin e mbështetjes për Ukrainën dhe adresimin e sfidave ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor’.