Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen 2 shtetas shqiptarë në Belgjikë dhe Dubai

Mos i humb

Dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Belgjikë, për llogari të shtetit shqiptar.

Sipas policisë, në kuadër të operacionit “Surnames” u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe, shtetasi Hajdar Bako, i njohur si Hajdar Copja dhe Hajdar Hysa, 40 vjeç, i lindur në Elbasan, pasi është i dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Në vitin 2017, në fshatin Katund i Ri ky shtetas së bashku me 4 të tjerë, është implikuar në një konflikt, gjatë të cilit është qëlluar me armë zjarri dhe janë plagosur 3 shtetas.

Ndërsa në kuadër të operacionit “Area” u arrestua në Belgjikë shtetasi A. G., 39 vjeç, pasi Gjykata e Fierit, më datë 15 tetor 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Më datë 15 korrik 2021, gjatë kontrollit në tokën në pronësi të 39-vjeçarit, në zonën Grizë Lenginas, Fier, u gjetën të mbjella bimë narkotike kanabis sativa.

Arrestimi i tyre u krye si rezultat i sigurimit të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia bën të ditur se vijojnë procedurat për ekstradimin e 2 shtetasve, në Shqipëri.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit