ÇARË ËSHTË FEJESA SIPAS SHERIATIT?

Mos i humb

Fejesë quhet shfaqja e dëshirës së burrit për t’u martuar me një grua të caktuar, duke lajmëruar kujdestarin e gruas për këtë.

ZGJEDHJA E BASHKËSHORTËVE

a. Zgjedhja e bashkëshortes

1. Të jetë e përkushtuar ndaj fesë

Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, Muhamedi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Gruaja martohet për shkak të katër gjërave: për shkak të pasurisë, të prejardhjes, të bukurisë dhe për shkak të fesë. Merre atë që ka fenë, të lumshin duart!” 1

2. Të jetë e pajisur me cilësitë e përmendura në hadithin vijues

“Gruaja më e mirë është ajo që kur e shikon të gëzon, kur e urdhëron të bindet, kur të betohesh lidhur me të nuk të zhgënjen dhe kur ti mungon ajo e ruan veten dhe ta ruan pasurinë.” 2

3. Të jetë e bukur

Prej cilësive që pëlqehet t’i ketë gruaja, veçanërisht në kohën tonë, është bukuria, ngase pranë saj do të gjejë më shumë qetësi shpirtërore, do ta ruaj shikimin e vet dhe do ta dojë më shumë. Kjo kuptohet nga thënia e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e përmendur në hadithin paraprak “gruaja më e mirë është ajo që kur e shikon të gëzon…”, sepse po të mos ishte e bukur nuk do ta gëzonte burrin e saj kur ai e shikon atë.

4. Pëlqehet të jetë beqare

Xhabiri, radijAllahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ka thënë: “O Xhabir, u martove me beqare apo me vejushë?” Ai i kishte thënë: “Me vejushë”. Atëherë, i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i kishte thënë: “Po përse nuk more ndonjë beqare që ta argëtosh e edhe ajo të të argëtojë?!” 3

Nganjëherë mund të ndodhë që gruaja e ve të jetë më e përshtatshme për burrin, siç është rasti me Xhabirin, i cili kishte nën përkujdesje shumë motra të vogla, andaj dëshironte të martohej me një vejushë që të kujdesej ajo për motrat e tija.

5. Të jetë e dashur për burrin dhe të jetë pjellore

Ma’ëkil ibën Jesari, radijAllahu anhu, thoshte: “Një njeri erdhi te Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe i tha: “E kam gjetur një grua me prejardhje të mirë dhe të bukur, mirëpo nuk lind. A të martohem me të?” I tha: “Jo.” Ai i erdhi për të dytën herë, por sërish e ndaloi. Kur i shkoi për të tretën herë, i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, tha: “Martohuni me ato gra që lindin shumë dhe që janë të dashura, sepse unë do të mburrem me numrin tuaj para popujve të tjerë.” 5

6. Të jetë nga ndonjë mjedis fisnik

I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, thoshte: “Njerëzit i ngjajnë mineraleve, ata janë sikurse mineralet e arit dhe të argjendit, më të mirët prej jush në kohën e xhahilijetit (në kohën paraislame) janë më të mirët në Islam, në qoftë se udhëzohen.” 6

b. Zgjedhja e bashkëshortit

I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, thoshte: “Nëse ju vjen ndokush, me fenë dhe moralin e të cilit jeni të kënaqur martojeni. Po qe se nuk veproni kështu, atëherë do të ndodhin sprova në tokë dhe shkatërrime të mëdha.” 7

Gjatë zgjedhjes së bashkëshortit duhet t’i kushtohet rëndësi çështjeve në vijim:

1. Të jetë i përkushtuar ndaj fesë dhe i moralshëm, duke u bazuar në hadithin e sipërpërmendur.

2. Të jetë nga një mjedis fisnik, duke u bazuar në hadithin “Njerëzit i ngjajnë mineraleve…” i cili u përmend më parë.

3. Të mos jetë steril, duke u bazuar në hadithin “unë do të mburrem me ju para popujve tjerë”.

4. Të ketë mundësi ta furnizojë gruan me ushqim, veshmbathje dhe t’i sigurojë strehim, sepse kjo gjë është e kërkuar që të mund të vazhdojë bashkëjetesa. Kur Fatimeja, e bija e Kajsit e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, që të martohet me Muavijën, i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i tha: “Muavija është shumë i varfër, nuk ka pasuri.” 8

RREGULLA QË KANË TË BËJNË ME FEJESËN

1. Nëse një burrë ka kërkuar dorën e ndonjë vajzë dhe nuk është refuzuar, atëherë nuk i lejohet askujt tjetër ta kërkojë dorën e asaj vajze, sepse i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Të mos e kërkojë asnjëri prej jush dorën e ndonjë vajze po qe se është duke e kërkuar dorën e saj vëllai i vet (nga feja), derisa të heq dorë i pari ose t’ia lejojë.”9

2. Në qoftë se ndokush pyetet për ndokënd për qëllim martese, atëherë ai duhet t’i tregojë çdo gjë që di për atë dhe kjo nuk është përgojim, por është gjë e kërkuar fetarisht.

3. Duhet ditur se në qoftë se arrihet pajtimi për fejesë, atëherë ky është vetëm premtim për martesë dhe këta të fejuar janë të huaj për njëri-tjetrin derisa të lidhin kontratën e martesës.

SHIKIMI I TË FEJUARËS

Nëse një mashkull dëshiron të martohet me ndonjë femër, atëherë është e ligjshme për të, madje është sunet që ai ta shohë vajzën me të cilën dëshiron të martohet. Për këtë dëshmon hadithi që e përcjell Sehël ibën Sa’di, radijAllahu anhu, se një grua erdhi te i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, erdha të ta dhuroj veten time.” Atëherë, i Dërguari i Allahut e shikoi atë duke e soditur mirë, pastaj e largoi shikimin nga ajo.10

Këtë gjë e dëshmon edhe hadithi i Xhabirit, i cili thotë: I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, thoshte: “Kur ndokush fejohet me ndonjë vajzë, nëse ka mundësi të shohë tek ajo diçka që e shtyn atë të martohet me të, le ta bëjë.” Pastaj, Xhabiri, radijAllahu anhu, tha: “Kur u fejova me një grua, fshihesha për ta parë atë, derisa pashë tek ajo diçka që më shtyri të martohesha me të, kështu që u martova me të.”11

Atij i lejohet t’i shoh ato pjesë të femrës që duken zakonisht, siç janë fytyra, duart, këmbët, qafa dhe flokët.

Gjithashtu, edhe vajzës i lejohet ta shohë burrin me të cilën dëshiron të martohet.

Urtësia e tërë kësaj është që të zgjasë sa më shumë dashuria dhe harmonia mes bashkëshortëve, siç i tha i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, Mugires, i cili ishte fejuar me një grua: “Shihe atë, sepse kjo, pa dyshim, është më e sigurt për jetëgjatësinë e lidhjes suaj.”

Vini re: Shikimi me epsh lejohet vetëm ndërmjet burrit dhe gruas së vet dhe ndërmjet robëreshës dhe zotërisë së saj.

Përgatiti: Jusuf Kastrati – Shembulli.com

 

1. Buhariu (5090), Muslimi (1466).
2. Nesaiu (6/68), Ahmedi (2/251), Bejhakiu (7/82), Tajalisiu (1/306).
3. Buhariu (5079), (5247), Muslimi (715).

4. Kjo gjë mund të kuptohet nëse shikohet shëndeti fizik i saj dhe nëse shikohen të afërmet e saj, siç janë motrat, hallat dhe tezet.
5. Ebu Davudi (2050), Nesaiu (3227).

6. Buhariu (3353), Muslimi (2526).
7.Tirmidhiu (1084), Ibën Maxhe (1967), Taberaniu (1/141), kurse Albani e ka vlerësuar si “hasen” në librin “Et-tergijb” (3090).

8. Muslimi (1480).
9. Buhariu (5142), Muslimi (1412).
10. Buhariu (5087), Muslimi (1425).

11. Ebu Davudi (2082), Ahmedi (3/334), kurse Albani e vlerësoi si “sahih” në “Es-silsile es-sahiha” nr. (99).

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit