Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, i është përgjigjur deklaratës së presidentit frencez Emmanuel Macron në lidhje me zhvillimet rreth revistës franceze Le Point, e cila në numrin e fundit përdori shprehje kundër presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe personave dhe organizatave me prejardhje turke në Francë.
Çavusoglu në llogarinë e tij Twitter ka bërë dy pulikime, njërën në gjuhën turke dhe tjetrën në atë frënge, në përgjigje ndaj presidentit francez Macron, i cili dje nëpërmjet Twitterit ka kritikuar largimin e afisheve reklamuese të numrit të revistës Le Point në vazhdën e reagimeve të shumta.
“Demokracia nuk ka të bëjë vetëm me imponimin e ofendimeve, fyerjeve dhe gënjeshtrave në njërën anë, por të marrësh në konsideratë pikëpamjen dhe ndjeshmërinë e palës tjetër. Të tjerat përtej kësaj janë dyftyrësi”, ka shkruar Çavusoglu në reagim ndaj Macronit, duke nënvizuar se reagimi civil dhe demokratik i komunitetit turk në Francë është gjithashtu në këtë drejtim.
Revista javore Le Point e cila publikohet në Francë, në numrin e saj të fundit ka vendosur në shënjestër presidentin Recep Tayyip Erdogan, Turqinë, Turqit që jetojnë në Francë, organizatat që i përkasin turqve dhe ka nisur një fushatë njollosjeje me informacione të cilat thuhet se janë në bazë të burimeve të pasakta ose anonime.
Ndaj revistës kanë shprehur reagime të ashpëra turqit që jetojnë në Turqi dhe në Francë, ku si rezultat i protestave u hoqën afishet e varura në një pikë shitjeje të gazetave në qytetin Avignon./Rtv Islam/


