
Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlyt Çavushollu në lidhje me bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për S-400 tha se Turqia është gjithmonë e gatshme që të arrijë në marrëveshje me negociata por nuk do të pranojë imponim.
Çavushollu vazhdon kontaktet e ndryshme në Japoni, ku ka shkuar për mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të G20.
Në Nagoya, ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe rikujtoi edhe një herë qëndrimin e Turqisë në lidhje me bisedimet me Amerikën për sistemet e mbrojtjes ajrore S-400, që Turqia bleu nga Rusia.
“Kushdo qoftë, cilido vend qoftë. Sigurisht që bisedojmë për çdo gjë në themelin e respektit për të drejtat sovrane. Turqia është gjithmonë e gatshme që të arrijë në marrëveshje duke vënë në zbatim diplomacinë, qoftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë me vend tjetër. Por ne nuk pranojmë imponim dhe nuk lejojmë që të hyhet në fushën e sovranitetit tonë”, tha Çavushollu.
Pyetjes në lidhje me agjendën e Turqisë në mbledhjen e liderëve të NATO-s, që do të zhvillohet në Londër, kryeqytetin e Anglisë gjatë datave 3-4 dhjetor, ministri turk tha se do të përcjellin vizionin e Turqisë për zgjerimin e NATO-s dhe se si kjo aleancë duhet të përshtatet kundër kërcënimeve të reja.
Çavushollu bëri të ditur gjithashtu se me Japoninë u ra dakord në lidhje me marrëveshjen e tregtisë së përbashkët dhe tashmë nënshtetasit turq nuk kanë më nevojë të vijnë në Turqi për të marrë patentën por mund ta marrin edhe nga Japonia.
“Ne synojmë të përforcojmë edhe më shumë marrëdhëniet dypalëshe duke finalizuar deri në fund të vitit Marrëveshjen e Partneritetit Ekonomik”, tha Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlyt Çavushollu.


