Çavusoglu thirrje Gjermanisë për ekstradimin e të dyshuarve të FETO-s

Mos i humb

 Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu i bëri thirrje Gjermanisë të ekstradojë anëtarët e Organizatës Terroriste FETO në Turqi.

“Nëse Gjermania nuk na e kthen Adil Öksüz-in, atëherë do të jetë në të njëjtin pozicion si SHBA-ja që nuk ekstradon udhëheqësin e FETO-s (Fetullah Gülen)”, tha Çavuşoğlu në një intervistë televizive në kanalin e lajmeve Haberturk.

“Ka njëfarë aktiviteti në SHBA (mbi ekstradimin e Gülenit), por pavarësisht nëse bëhet fjalë për Gjermaninë apo vende të tjera, ata duhet të kthejnë të gjithë këta tradhtarë që komplotuan grusht shteti në Turqi. Këta njerëz duhet të përballen me drejtësinë”, shtoi shefi i diplomacisë turke.

Komentet e ministrit të Jashtëm turk erdhën menjëherë pasi disa dëshmitarë thanë sot për AA se i dyshuari më i kërkuar i grushtit të shtetit Adil Öksüz qëndroi në një apartament të vogël në Berlin në fillim të këtij viti nën mbrojtjen e anëtarëve të FETO-s.

Öksüz, një ligjërues i teologjisë i akuzuar për organizimin e puçit të dështuar në Turqi më 15 korrik 2016, është në arrati gati dy vte.

Çavuşoğlu tha gjithashtu se kanë kontaktuar zyrtarisht autoritetet gjermane lidhur me Öksüz-in.

“Natyrisht që kemi një marrëveshje me Gjermaninë. Ky person është puçist dhe Gjermania është shumë e vetëdijshme për këtë, prandaj, nëse kapet, atëherë procesi i ekstradimit do të fillojë”, tha ai.

Në Gjermani, ku gjenden më shumë se tre milionë emigrantë turq, FETO ka një rrjet të madh me dhjetra shkolla private, biznese dhe organizata mediatike.

Sipas raporteve të medias lokale, që nga tentativa për grusht shteti në vitin 2016, gati 4.000 të dyshuar të FETO-s kanë ardhur në Gjermani nga Turqia dhe vende të tjera.

Disa të dyshuar të FETO-s, përfshirë ish-ushtarë dhe diplomatë, kanë kërkuar azil në shtete të ndryshme federale gjermane.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit