Celibashi: KQZ, prioritet informimin e votuesve nga diaspora

Mos i humb

Nënkomisioni për diasporën dhe migracionin zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në lidhje me votën e shtetasve shqiptarë me vendbanim jashtë vendit.

Celibashi u shpreh se, që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dy kanë qenë aktet e veprimit të KQZ-së.

“E para, ka të bëjë me ndërtimin e një strukture administrative brenda institucionit të KQZ-së, e cila nga pikëpamja rregullatore, organizative, teknike do të adresonte në momentin kur i gjithë kuadri ligjor rregullator do të ishte gati, gjithë aspektin e përgatitjes dhe zhvillimit të votimit nga jashtë apo votimit të diasporës.

E dyta, të nxiste për aq sa e kishte të lejuar dhe të sillte në vëmendje, jo vetëm të Kuvendit të Shqipërisë, apo të faktorit politik, OJQ-ve etj ,gjithë nevojën që procesi i votimit nga jashtë të merrte atë adresimin që do të duhej të merrte nga institucionet përkatëse”, tha ai.

Sa i përket çështjes së parë, u shpreh Celibashi, “KQZ tashmë e ka ndërtuar strukturën administrative brenda tij të posaçme, e cila ka përgjegjësi të dedikuar në lidhje me gjithë aspektet e procesit të votimit nga jashtë. Ne tashmë e kemi të konsoliduar nga pikëpamja administrative drejtorinë për votimin nga jashtë dhe e kemi të organizuar në mënyrë të tillë që t’u përgjigjet të gjithë elementëve teknikë të zhvillimit të votimit nga jashtë duke nisur nga procesi regjistrimit, i administrimit të votave dhe i nxjerrjes së rezultatit”.

Natyrisht, shtoi Celibashi, “do të duhet të presim zhvillimet e fundit brenda Kuvendit, nëse procesi i diskutimeve dhe negociatave ndërmjet palëve politike do të finalizohet me plotësimin e boshllëqeve ligjore, sikurse Gjykata Kushtetuese thotë në lidhje me votimin nga jashtë dhe kështu do t’i hapet rruga veprimit të KQZ-së për të punuar për ta përgatitur këtë proces”.

Sa i përket veprimtarisë së KQZ-së në lidhje me këtë çështje, Celibashi u shpreh se, “jeni dëshmitar dhe pjesëmarrës të disa aktiviteteve të organizuar nga KQZ, disa konferencave kombëtare me përfaqësues më të lartë politikë, institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare me seli në Shqipëri. Qëllimi parësor i zhvillimit të këtyre aktiviteteve ka qenë rritja e shkallës së ndërgjegjësimit të të gjithë faktorëve në lidhje me nevojën apo domosdoshmërinë e adresimit të kësaj çështjeje”.

“Nëse Kuvendi do të kalojë në këtë javë ato çfarë mediatikisht flitet sa i përket votimit nga jashtë, do të duhet ta besojmë që ka qenë pjesë e kësaj shtyse e gjithë kjo çfarë ne si institucion kemi bërë”, tha Celibashi.

I pyetur lidhje me marrjen e masave nga KQZ për votimin e qytetarëve nga jashtë, Celibashi tha se, “nëse ka vërtetë një gjë të cilën ne e kemi prioritare në fokusin tonë është aksioni që duhet të ndërmarrë KQZ, por jo vetëm, për të ndërgjegjësuar, informuar të gjithë ata votues që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Celibashi tha se, ky është një proces shumë i vështirë.

“Ne kemi probleme të edukimit, të informimit dhe të ndërgjegjësimit të votuesve që jetojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Kjo do të jetë më sfiduese për ne për rastin e votuesve nga jashtë për ato faktorë objektivë”, tha Celibashi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit