
Zëdhënësi i partisë turke në Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Ömer Çelik, deklaroi se ankimimi i rezultateve zgjedhore nga partitë politike është një praktikë e zakontë, ndërkohë që shprehu besimin e tij të plotë tek kapaciteti i autoritetit zgjedhor i cili do të ketë fjalën e fundit.
Në një prononcim për gazetarët në Stamboll, zëdhënësi i Partisë AK, Çelik tha se “është një situatë krejt normale pasi në secilin cikël zgjedhor në Turqi, partitë politike ankimojnë rezultatet për çka fjalën e fundit e jep Këshilli i Lartë i Zgjedhjeve (YSK)”.
Çelik kritikoi disa grupe të cilat siç tha, përpiqen që situatën e cila në shumë demokraci perëndimore është diçka normale, ta shndërrojnë në të jashtëzakonshme. “Kjo është një qasje shumë e gabuar”, tha ai.
“Besojmë në aftësitë e Këshillit të Lartë të Zgjedhjeve për të zgjidhur këtë. Të gjitha partitë politike duhet të jenë përgjegjëse për ruajtjen e reputacionit të tij”, përfundoi Çelik.
Ndryshe, pas një ankese të bërë nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë vendosi të mërkurën të rinumërojë vota në disa rrethe të Stambollit.


