
Çereku i institucioneve shëndetësore në botë përballen me mungesën elementare të ujit, që ndikon në rreth dy miliardë njerëz, thuhet në raportin e ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF-it të publikuar sot.
“Rreth 896 milionë njerëz përdorin shërbimet e institucioneve shëndetësore që nuk kanë ujë, ndërsa 1,5 miliardë njerëz përdorin shërbimet e institucioneve që nuk kanë shërbime higjienike”, thuhet në raportin e publikuar nga OBSH dhe UNICEF përmes programit të përbashkët të monitorimit për furnizim me ujë dhe shërbime higjienike.
Ky raport është vlerësimi i parë gjithëpërfshirës global për ujin dhe higjienën në institucionet shëndetësore (WASH), ku përfshihen të dhëna nga 125 vende bazuar në vlerësimet e mbi 560.000 institucioneve shëndetësore.
“WASH është parakusht për trajtim kualitativ dhe është posaçërisht i rëndësishëm për menaxhim të sigurt të lindjeve”, thuhet në raport, ku theksohet se këto shërbime janë të rëndësishme për të parandaluar infeksionet dhe përhapjen e mikrobeve, veçanërisht gjatë lindjeve.
Në raport më tej thuhet se një nga pesë lindje në botë ndodh në vendet më pak të zhvilluara, duke theksuar se “17 milionë gra në këto vende realizojnë lindjen në institucionet shëndetësore më kushte të papërshtatshme higjienike dhe të furnizimit me ujë”.
Raporti gjithashtu vë në dukje se çdo vit, më shumë se një milion raste të vdekshmërisë ndërlidhen me lindjet e papastërta.
“7.000 foshnje të porsalindura kanë vdekur për çdo ditë në vitin 2017, kryesisht shkaku i kushteve që mund të parandalohen apo të mënjanohen”, tha UNICEF, duke u bërë thirrje qeverive që çdo nëne t’i sigurojnë qasje adekuate shëndetësore.
OBSH dhe UNICEF përmes programit të përbashkët të monitorimit për furnizim me ujë dhe shërbime higjienike ofrojnë përditësime të rregullta rreth furnizimit me ujë dhe kushte higjienike që nga viti 1990.


