Islami na urdhëron për t’u kujdesur për jetimët, t’u bëhet mirë dhe t’u ofrohet dora e ndihmesës. Allahu thotë: “Prandaj, mos e shtyp jetimin.” [Kur’an, kaptina Ed-Duhâ, 9]
I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Unë dhe kujdestari i jetimit do të jemi kështu në Xhenet” duke treguar me gishtin e mesit dhe gishtin tregues të dorës së vet.” [1]
I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të), na e ka tërhequr vërejtjen të mos e prekim pasurinë e jetimit, meqë ajo është prej mëkateve të mëdha: “Shmangni shtatë gjynahet e mëdha shkatërruese.” Njerëzit e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, cilat janë ato?” Ai u përgjigj: “T’i bësh Allahut shokë; të merresh me magji; t’i marrësh jetën tjetrit, gjë të cilën Allahu e ka ndaluar, përveçse kur e kërkon e drejta (islame); të hash kamatën; të hash pasurinë e jetimit; t’i kthesh shpinën armikut e t’ia mbathësh nga fusha e betejës kur luftohet dhe të akuzosh padrejtësisht gratë e dëlira, të ndershme e besimtare të vërteta.” [2]
I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush e ushqen një jetim deri sa të pavarësohet e ka Xhennetin e garantuar.” [3]
Gjatë një rasti, erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të), duke iu ankuar për ashpërsi në zemrën e tij, ndërsa i Dërguari (paqja qoftë mbi të), e pyeti: “Dëshiron të kesh zemër të butë dhe të arrish atë që ke nevojë? Ndaj ji i butë me jetimin, përkëdhelja kokën, ushqeje nga ajo që ti ha. Ashtu zemra do të zbutet dhe do ta arrish atë që dëshiron.” [4]
[1] Hadith, shënon Buhariu, nr. 4892., dhe Tirmidhiu, nr. 1841.
[2] Hadith, shënon Buhariu, nr. 2560., dhe Muslimi, nr. 129.
[3] Hadith, shënon Ahmedi, nr. 18252.
[4] Hadith, transmeton Taberani, nr. 10173.
Përshtati: Lutfi Muaremi/Mesazhi/