Çmimet e materialeve të ndërtimit u rritën me 1.5% në tremujorin e katërt të vitit 2017, ndërsa shpenzimet për paga u rritën me 2.4%.
“Në tremujorin e katërt të vitit 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vërehet se shpenzimet për paga u rritën me 2.4% dhe shpenzimet për materiale u rritën me 1.5 %”, bëhet e ditur në raportin e publikuar sot nga INSTAT.
Nga ana tjetër, INSTAT thotë se rënia më e madhe vjetore vërehet në shpenzimet e transportit, me 1.9%, pasuar nga grupi “shpenzime makinerie” me 0.5%.
Ndërkohë, lejet për ndërtimin e banesave zunë pjesën më të madhe të lejeve të dhëna gjithsej gjatë vitit që lamë pas, ose 52.9% të sipërfaqes për ndërtim.
Gjatë vitit 2017, janë miratuar gjithsej 819 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 455 leje të miratuara në vitin 2016, duke shënuar një rritje prej 80 %.
Nga këto 819 leje ndërtimi të reja, 534 të tilla u dhanë për ndërtim banesash bëhet e ditur nga raportet e INSTAT-it.


