“Covid-19 ka prekur popullsinë e moshuar e cila është në numër të madh në Itali”

Mos i humb

Një nga profesorët e njohur në Itali në fushën e mikrobiologjisë dhe virologjisë, Roberto Burioni tha se koronavirusi i ri (Covid-19) ka prekur popullsinë e moshuar e cila është në numër të madh në vend dhe se pas dy javësh do të mund të shohin nëse kanë funksionuar apo jo masat që kanë ndërmarrë.

Profesor i mikrobiologjisë dhe virologjisë në Universitetin e Vita-Salute San Raffaele të Milanos, Burioni, një nga ekspertët e kësaj fushe në Itali, në një deklaratë për (AA) lidhur me rekomandimet për ekspertët turq dhe masat e marra për Covid-19 në Itali e cila është bërë epiqendra në Evropë e virusit të shfaqur në qytetin Wuhan të Kinës.

Ai ka rikujtuar se që nga dje numri i personave të infektuar me Covid-19 në Itali ka arritur në 31.506 persona dhe se prej këtyre kanë vdekur 2.503. Burioni tha se virusi ka prekur grupmoshën mbi 65 vjeç të cilët përbëjnë 23 për qind të popullsisë së Italisë.

“Në Itali numri i personave që kanë vdekur është shumë i lartë për shkak se në vendin tonë ka shumë të moshuar”, tha Burioni duke shtuar se të moshuarit në vend kanë një jetë jashtëzakonisht sociale.

“Ata dalin nga shtëpia, shëtisin dhe marrin pjesë në aktivitete sociale. Kjo fatkeqësisht shkaktoi që virusi të përhapet dy herë më shpejt kryesisht tek të moshuarit duke bërë që kjo grupmoshë të vuajë nga pasojat e rënda të infeksionit”, tha ai.

Lidhur me atë se “kush është fajtor për përhapjen në këtë masë të virusit”, Burioni tha: “Kush është fajtor? Këtë nuk e dimë dhe nuk mund ta dimë. Qeveria në ditët e para e nënvlerësoi, nuk e mori seriozisht por tani mund të themi se qeveria dhe të gjithë po bëjnë atë që duhet bërë. Në fillim edhe italianët nuk e morën seriozisht këtë, por tani kjo po merret seriozisht”.

– “Rezultatin e kësaj që po veprojmë sot do ta shohim pas dy javësh”

Lidhur me “numrin e rasteve që po rritet dita-ditës dhe nëse është arritur apo jo kulmi me shifrat e ditëve të fundit”, Burioni tha se “Këtë nuk mund ta di. Është e pamundur të parashikohet”.

Duke përmendur masat e rrepta të karantinës e cila zbatohet që nga java e kaluar në vend, Burioni vuri në dukje procesin e 15 ditëve të ardhshme. “Rezultatin pozitiv apo negativ të kësaj që po veprojmë sot do ta shohim pas dy javësh, që shpresoj të japë rezultat pozitiv”, tha mes tjerash profesori Burioni.

– “Nuk ka asnjë zbulim se virusi nuk mund të përparojë në periudhën e verës”

Lidhur me komentet se “Koronavirusi nuk do të ketë efekt në muajt e verës dhe në motin e nxehtë”, profesori Burioni tha se “Jo, këtë nuk e dimë. Ndoshta mund të ketë, por nuk ka asnjë zbulim apo provë që ne mund të bëjmë këtë vlerësim tani”.

– Rekomandimet për kolegët turq

Pasi ka rikujtuar se rastet e Covid-19 në Turqi sapo kanë filluar të shfaqen, Burioni ka rekomanduar për kolegët e tij turq se: “Miqve të mi turq u rekomandoj që të vlerësojnë në mënyrë jashtëzakonisht serioze këtë virus. Sepse ky virus është shumë infektues dhe i rrezikshëm. Kolegët e mi turq; mjekët, infermierët duhet të përgatiten shumë mirë përballë kësaj sepse mund të përballen me një numër të madh të rasteve”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit