Kryeministri italian Giuseppe Conte të premten njoftoi vazhdimin e masave të bllokimit të përgjithshëm të imponuar në gjithë vendin deri më 3 maj, pasi vendi i goditur rëndë nga koronavirusi i ri (COVID-19) vazhdon luftën kundër përhapjes së pandemisë.
Masat e rrepta të bllokimit, të cilat kanë detyruar mbylljen e shumicës së bizneseve italiane dhe nuk lejojnë largimin e njerëzve nga shtëpitë e tyre pa ndonjë arsye thelbësore, ishin paraparë të përfundonin më 13 prill.
Në një konferencë televizive për shtyp, Conte tha se vendimi, pjesë e një dekreti të ri emergjence, erdhi pas konsultimeve të gjera me shkencëtarë, udhëheqës rajonalë dhe biznesi. Vetëm disa aktivitete do të lejohen të rihapen nga 14 prilli, përfshirë dyqanet e librave dhe dyqanet e veshjeve për foshnja dhe fëmijë.
“Ky është një vendim i vështirë, por i domosdoshëm, për të cilin unë marr përgjegjësinë e plotë”, tha Conte.
“Ne nuk mund të dëmtojmë përpjekjet që kemi bërë deri më tani…Nëse heqim dorë, rrezikojmë të fillojmë nga e para”, shtoi kryeministri italian.
Conte shtoi se këshilltarët e tij shkencorë konfirmuan se kurba e ngjitjes është ngadalësuar, por paralajmëroi se rreziqet e rikthimit mbeten të larta. Të premten Italia raportoi 570 vdekje të tjera nga koronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 18.849, me çka Italia vazhdon të jetë vendi me numrin më të madh të viktimave.
Ai tha se qeveria tashmë po planifikon se si të trajtojë të ashtuquajturën “faza-2”, e cila do të pasojë urgjencën. Për këtë qëllim, ai ka krijuar një task-forcë speciale, e cila do të përfshijë sociologë, ekonomistë dhe menaxherë, si dhe do të drejtohet nga ish-menaxheri i Vodafone, Vittorio Colao.
Conte gjithashtu folim mbi kritikat nga partitë opozitare, të cilat akuzojnë qeverinë se ka humbur betejën e saj evropiane për të marrë ndihmë financiare bazuar në borxhin e përbashkët, të ashtuquajturat “koronabono”, që do t’i mundësonte Italisë dhe gjithë BE-së të përballen me pasojat e rënda ekonomike nga pandemia.
Paketa e dakorduar nga Eurogrupi të enjten vonë përfshin linja të veçanta kredie nga Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (ESM); një stimulim të aftësisë së huadhënies së Bankës Evropiane të Investimeve; dhe një skemë të re evropiane të sigurimit të papunësisë, të një totali prej më shumë se 500 miliardë eurosh. Por ‘eurobonot’, ose ‘koronabonot’, të cilat kundërshtohen ashpër nga Gjermania dhe vendet Nordike, nuk u përmendën.
“Ne besojmë se ‘eurobonot’ janë mjeti i duhur…dhe ne do të vazhdojmë ta luftojmë në betejën tonë me guxim, deri në fund”, tha kryeministri i Italisë Conte.


