Çuçi: Sistemi i pajisjes me lejeqëndrimi në vend, online gjatë këtij viti

Mos i humb

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha gjatë konferencës së sotme për mediet në lidhje me analizën e punës së vitit 2022, se në fokus të veçantë të punës së institucionit që ai drejton ka qenë edhe krijimi i kushteve të lëvizjes së lirë.

“Kemi hapur dhe kemi krijuar një kalim të lirë 24-orësh në Shishtavec të Kukësit duke krijuar mundësinë e të gjithë qytetarëve në vendet kufitare, të kenë një lëvizje të lirë pa pasur nevojë për dokumente shtesë por vetëm me kartë identiteti”, tha Çuçi.

“Gjithashtu, theksoi ai, si rezultat i bashkëpunimit me policinë kufitare të Kosovës, për vendosjen e një regjimi të lirë qarkullimi, për herë të parë sezonin e verës që kaloi ne nuk kemi patur trafik në pikën e kalimit në Morinë. Kjo marrëveshje që do të vijojë të zbatohet çdo sezon veror, në fundjavë dhe ditë festash në Kosovë dhe Shqipëri, pritet të krijojë mobilitet dhe lirshmëri qarkullimi me ndikim në rritjen e turizmit në vendin tonë”.

Ministri vuri në dukje se, gjithashtu për herë të parë në vitin 2022 u vunë në funksion E-gate në Aeroportin “Nënë Tereza”, ku përdorimi i teknologjisë lehtësoi lëvizjen e njerëzve në këtë pikë kaq të rëndësishme. Çuçi tha se ministria që ai drejton do të vijojë t’i përgjigjet kërkesës për E-Gate të tjera.

Për sa i takon lëvizjes së lirë në vendet e rajonit, arritje është lëvizja e qytetarëve vetëm me ID, duke lehtësuar kështu kushtet për akses të lirë në tregun e punës për Ballkanin Perëndimor.

“Sot është fakt që kushdo që vjen nga Ballkani Perëndimor me ID, pajiset me leje unike në Shqipëri që i shërben për qëndrim dhe punësim. Thjesht vetëm me një aplikim në e-Albania. Këtë e kemi arritur për të gjithë shtetasit e rajonit, të BE-së dhe të SHBA-së. Për të gjithë shtetasit e tjerë që duan vizë për të ardhur në Shqipëri, pas marrjes së vizës dhe vijnë në vendin tonë, ata pajisjen me një leje qëndrimi që është edhe leje pune. Kjo quhet leje unike”, u shpreh Çuçi.

Sipas tij, ky sistem do të fillojë të funksionojë gjatë këtij viti online. Çuçi u ndal në luftën kundër migracionit ilegal ku theksoi se, janë ulur me 34.3% rastet e hyrjes të të huajve të parregullt në vendin tonë.

Ai veçoi bashkëpunimin me Frontex ku tha se, Shqipëria është i pari vend, që nuk është anëtar i BE-së, që ka nënshkruar marrëveshjen me Frontex sikur të jemi një vend anëtar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit