Dalja e Srpska-s nga qeveria: Kosova, drejt zgjedhjeve të parakohshme apo një qeverie teknike?

Mos i humb

Nga Blendi Gashi

Pas daljes së Listës Serbe nga qeveria dhe ngjarjeve të fundit në Kosovë, LDK-ja e Isa Mustafës ka dalë me kërkesë publike që partitë politike të dakordohen që sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por që si mundësi lënë të hapur edhe krijimin e një qeverie teknike.

Kjo parti vlerëson se vendi ka hyrë në krizë të thellë institucionale dhe politike, dhe se qeveria nuk e ka shumicën në Kuvend dhe në bazë të rregullave të demokracisë, kjo qeveri konsiderohet e rënë.

LDK u ka bërë thirrje partive politike të mblidhen sa më parë për të caktuar datën e zgjedhjeve, në mënyrë që ato të jenë të përgatitura si duhet dhe vullneti i qytetarëve të shprehet lirshëm.

Për zgjedhjet e reja ka folur edhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri i cili ka lënë të hapur edhe mundësinë e një qeverie teknike.

“Një qeveri teknike për 6 muaj kohë, kjo e nevojshme për të kryer ndonjë punë madhore shtetërore dhe kohë e mjaftueshme për përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare ose mocion mosbesimi ndaj qeverisë dhe zgjedhje të jashtëzakonshme. Për këtë ne si LDK, strukturat tona kompetente dhe vendimmarrëse do të bëjmë konsultimet, takimet e nevojshme dhe pa vonesë e në kohën e duhur do të dalim me qëndrime dhe veprime konkrete. Shpresojm që edhe subjektet tjera, jo vetëm ato opozitare,do të na mbështesin. Këtë e shohim si shpresë të vetme për të tejkaluar këtë gjendje, me një Parlament të ri dhe Qeveri të re,e dal nga votat e qytetarëve dhe nën udhëheqjen e LDK-së”, shkruan Beqiri në Facebook.

Por kjo kërkesë e LDK-së nuk po merret me seriozitet nga partitë në pushtet.

Kryetari i PDK-së, njëherësh kryekuvendari, Kadri Veseli, nuk beson se LDK është e interesuar njëmend të shkojë në zgjedhje të reja.

“Unë nuk e di sa është serioze me këtë kërkesë, sa janë të gatshëm kolegët e mi nga opozita, apo është vetëm një thirrje për të përfituar politikisht. Por, ajo çfarë mund të them, ne do të jemi në koalicion qeverisës bashkë me partnerët e koalicionit, për aq sa na lejon vullneti i popullit, ligjet, Kushtetuta dhe të punojmë, kjo është më e rëndësishme në këtë moment… Ne kemi pasur një koalicion me LDK-në për tri vite, për të cilin jemi detyruar që për shkak të mungesës së vendimmarrjes të vijmë në një situatë në të cilën kemi ardhur”, ka deklaruar Veseli për mediat kosovare.

Portali ynë ka tentuar të marrë zyrtarë edhe të dy partive tjera në pushtet, AAK-së e NISMA-s por ata nuk kanë pranuar të flasin për temën në fjalë.

Kujtojmë se dalja e Listës Serbe nga qeveria ka bërë që koalicioni qeverisës të mos i ketë 61 vota të domosdoshme. çka pa përkrahje nga opozita nuk mund ta kalojë as edhe një ligj të vetëm. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit