“Dëbimi i Assange-it nga ambasada në Londër cenon të drejtat e njeriut”

Mos i humb

Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për torturë, ka shprehur shqetësimin e tij, për zërat se themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange, do të mund të dëbohet nga ambasada e Ekuadorit në Londër, e cila tashmë për gati shtatë vjet shërben si një shtëpi e tij.

Në një deklaratë me shkrim, Nils Melzer, thotë se nëse Assange do të dëbohej nga ambasada e Ekuadorit, ai ka të ngjarë të arrestohet nga autoritetet britanike dhe si rrjedhojë të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Një veprim i tillë mund ta ekspozojë atë në një rrezik të drejtpërdrejtë dhe mund të paraqesë një sërë shkeljesh të të drejtave njerëzore, përfshirë të drejtën e shprehjes, të drejtën për një gjykim të drejtë si dhe ndalimin e trajtimit ose dënimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.

Melzer i kërkoi qeverisë ekuadoriane të mos dëbojë Assange-n derisa të mos sigurohet mbrojtja e plotë e të drejtave të tij të njeriut, ndërkohë që bëri të ditur se së shpejti do të takojë autoritetet e të dyja vendeve me të cilët do të shqyrtojë rrezikun e një situate të mundshme.

“Një burim i nivelit të lartë në shtetin e Ekuadorit i ka thënë WikiLeaks-it se Julian Assange do të dëbohet brenda pak orësh ose ditësh duke përdorur si pretekst skandalin #INAPapers, dhe se tashmë ka një marrëveshje me Britaninë e Madhe për arrestimin e tij”, shkroi WikiLeaks në Twitter të premten, duke i’u referuar dokumenteve të cilat implikojnë presidentin ekuadorian, Lenin Moreno, në një skandal korrupsioni.

Nëse lëshon ambasadën e Ekuadorit në Londër, Assange do të përballet me arrestimin e tij, me urdhër arrestin e policisë metropolitane e cila është në fuqi pas lirimit të tij me kusht në vitin 2010.

Australiani Assange, programues, gazetar dhe aktivist, është themelues i WikiLeaks-it, organizatë e cila publikon informacione sekrete dhe dokumente të klasifikuara nga burime anonime “denoncuese”.

Gjykata britanike në vitin 2012 ka vendosur për ekstradimin e tij në Suedi ku akuzohet për përdhunim të dy femrave në vitin 2010.

Pas vendimit për ekstradim, Assange i cili ndodhej në Britani, u strehua në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për shkak të rrezikut se mund të dërgohej në SHBA në rast se do të ekstradohej në Suedi.

Në muajin maj në Suedi ishte anuluar procesi gjyqësor ku Assange akuzohet për përdhunim.

Së fundmi në muajin dhjetor Ekuadori pranoi kërkesën e themeluesit të Wikileaks-it për azil politik të cilit i dha shtetësi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit