Nuk ka asnjë justifikim për dëbimin e diplomatëve amerikanë. Ky ishte reagimi i administratës së Donald Trump pasi Moska shpalli “non grata” 60 diplomatë amerikanë dhe njoftoi mbylljen e Konsullatës së SHBA në Shën Peterburg.
Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert ftoi Moskën që të mos sillej si viktimë dhe sugjeroi se nuk do të qëndronin duarkryq. Kremlini njoftoi dëbimin e rreth 150 diplomatëve si kundërpërgjigje e vendimit të SHBA-së dhe vendeve të tjera për të larguar pjesëtarë të inteligjencës ruse lidhur me rastin Skripal, ish-spiuni i helmuar në Britaninë e Madhe.
Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov tha të enjten se do të kundërpërgjigjeshin ndaj secilit vend që mori masa kundër Moskës, duke larguar po aq diplomatë. Më shumë se 20 shtete dëbuan diplomatë rusë, pasi Britania e Madhe akuzoi haptazi Moskën për përfshirje në helmimin me agjent nervor të ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia, në 4 mars.
Fushatës iu bashkua edhe Shqipëria, e cila, pasi thirri ambasadorin rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin, urdhëroi largimin e dy diplomatëve: Sekretari i Parë i ambasadës, Aleksey Balashov dhe Vladislav Filippov, atasheh ushatarak.
Ambasadori reagoi pas këtij vendimi dhe kërkoi shpjegime se pse ishin bërë publikë emrat e diplomatëve të dëbuar.
Top Channel


