Kryeministri Edi Rama nuk pranoi të komentonte sot deklaratën e fundit të zëvendëskryeministrit serb, Aleksandër Vulin.
Pas takimit të kryeministrit Rama me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi, Vulin komentoi se “Shqipëria e Madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe, por edhe nga grekët, grekët tanë të dashur”.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët që shoqëruan Ramën në Kotorr, Mali i Zi, në Samitin Rajonal të Ballkanit Perëndimor me BE, Rama tha se pas të 40-ve çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka.
“Një njeri i mençur ka thënë se pas të 40-ve çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka, nëse e shikoni fytyrën e personit të cilit i referoheni, mendoj që nuk meriton e s’ka nevojë për asnjë koment tjetër edhe deklarata e tij”, deklaroi Rama.
Ambasadori i Serbisë, Slobodan Vukçeviç është thirrur ditën e djeshme në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku iu kërkuan sqarime në lidhje me deklaratat që zëvendëskryeministri serb Vulin ka bërë duke iu referuar vizitës dhe takimit të Kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Greqi.
Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, “deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë”.


