Demokratët, iniciativë për të ndryshuar rregullin që bllokon miratimin e ligjeve

Mos i humb

Disa ditë para përvjetorit të parë të sulmit ndaj Kapitolit, udhëheqësi i shumicës demokrate Chuck Schumer, njoftoi se Senati do të votojë për ndryshimin e “filibuster-it”, një rregull, i cili përmes fjalimeve pafund, krijon mundësinë e bllokimit të miratimit të ligjeve. Synimi i ndryshimit të këtij rregulli është hapja e rrugës për miratimin e ligjeve pjesë e axhendës së Presidentit Biden, që janë bllokuar nga republikanët. Demokratët thonë se ndryshimi i rregullit është i nevojshëm për të mbrojtur demokracinë.

Në një letër të hënën drejtuar kolegëve, senatori demokrat nga Nju Jorku, Chuck Schumer, thotë se Senati “duhet të evoluojë” dhe do të “debatojë dhe shqyrtojë” ndryshimin e rregullave deri më 17 janar, në ose përpara Ditës së Martin Luther King Jr., ndërsa demokratët po përpiqen të kapërcejnë kundërshtimin republikan ndaj projektligjit të tyre për reformimin e procesit zgjedhor.

“Më lejoni të jem i qartë: 6 janari ishte një simptomë e një sëmundjeje më të gjerë, një përpjekje për të delegjitimuar procesin tonë zgjedhor dhe Senati duhet të avancojë reformat sistematike të demokracisë për të riparuar republikën tonë, ose përndryshe ngjarjet e asaj dite nuk do të konsiderohen më si të dënueshme, por një normë e re”, thuhet në letrën e senatorit Schumer.

Projektligji për zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtës së votës është bllokuar në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë 50-50, përmes rregullit të fjalimeve pafund të udhëhequra nga senatorët republikanë. Kjo i ka penguar përpjekjet për të miratuar ligjin, për të cilin duhen 60 vota të nevojshme, të cilat demokratët nuk kanë mundur t’i sigurojnë.

Demokratët nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord mes tyre për ndryshimet e mundshme në rregullat e Senatit për të reduktuar regullin e e miratimit të ligjeve të mëdha me 60 vota, pavarësisht negociatave private tashmë disa muajshe mes ligjvënësve të partisë së tyre. Dy demokratë të moderuar, senatori Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore dhe Kyrsten Sinema nga Arizona, janë përpjekur të paralajmërojnë partinë e tyre për ndryshimet në rregullat e Senatit, duke argumentuar se kur republikanët do të marrin kontrollin e Senatit, ata mund të përdorin një ndryshim të tillë për të avancuar projektligje, të cilat demokratët zakonisht i kundërshtojnë.

Presidenti Joe Biden, një ish-senator, ka hyrë me kujdes në këtë debat, kryesisht duke mbështetur rregullat existuese të Senatit. Por, ai është gjithashtu nën presion të madh politik për t’i ndryshuar ato, në mënyrë që projektligjet, të cilat janë pjesë e axhendës së tij politike, të mund të miratohen. Ende nuk është e qartë se si do të mund të ndryshoheshin këto rregulla të Senatit. Aktivistët e mbrojtjes së të drejtës së votës paralajmërojnë se shtetet e udhëhequra nga republikanët po miratojnë ligje zgjedhore dhe po përpiqen të instalojnë zyrtarë zgjedhorë që janë besnikë ndaj ish-presidentit Donald Trump, në mënyra që mund të përmbysin zgjedhjet e ardhshme.

Ish-Presidenti Trump u kërkoi mbështetësve të tij në 6 janarin e kaluar që të “luftojnë fort” për presidencën e tij dhe një turmë sulmoi Kapitolin duke u përpjekur të ndalonte Kongresin që të çertifikonte fitoren e demokratit Joe Biden. Ky ishte sulmi më i rëndë i brendshëm ndaj selisë së degës legjislative, në historinë e Shteteve të Bashkuara./VOA

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit